Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me cënimin e të drejtës për mjedis jetësor

16/03/2016

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin me rekomandime 322/2015 mbi bazën e ankesës së znj. Samile Pruthi dhe 15 familjeve tjera, banorë në rrugën “Durgut Vokshi” në Gjakovë, lidhur me cenimin e të drejtës për mjedis jetësor.

Ankesa e pranuar në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) ka konsistuar në faktin se banorët në rrugën “Durgut Vokshi” në Gjakovë, i kanë parashtruar ankesë Komunës së Gjakovës, në qershor 2015, për mungesën e qasjes në rrjetin e kanalizimit dhe, për pasojë, rrjedhjen mbi tokë të ujërave të zeza, duke ndotur mjedisin dhe duke i ekspozuar banorët e kësaj rruge, përballë rrezikut nga shfaqja e sëmundjeve infektive.

Sipas nenit 18, paragrafi 1.2, të Ligjit për Avokatin e Popullit Nr. 05/L-019, Avokati i Popullit ka kompetencë “Të tërheqë vëmendjen për rastet kur autoritetet i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandim që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e institucioneve përkatëse në lidhje me rastet e tilla.”. Së këndejmi,  pas analizës ligjore, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (Neni 52), në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Neni 8), si dhe vlerësimet dhe konstatimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me të drejtën e respektimit të jetës private dhe familjare, e po ashtu në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale Nr. 03/L-040 (Neni 17), Ligjin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor Nr.03/L-230 (Neni 1), Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Nr.03/L-025, Ligjin për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse Nr.02/L-109, Ligjin për Shëndetësinë Publike Nr.02/L-78 (Neni 6), Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit Nr. 04/L-175 (Neni 10), Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme Nr.03/L-139 (Neni 1), Avokati i Popullit ka rekomanduar, që:

1. Komuna e Gjakovës, në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore dhe në bashkëpunim me të gjitha autoritetet tjera përgjegjëse, të ndërmarrë masa të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të kanalizimit për banorët e rrugës “Durgut Vokshi” në Gjakovë.

2.Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e komunës së Gjakovës, në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hulumtuar gjendjen epidemiologjike dhe shëndetësore të banorëve, si dhe shkallën e ndotjes së ambientit. Varësisht nga të gjeturat në terren, të përpiloj raport me shkrim dhe t’i njoftoi banorët dhe institucionet për gjendjen dhe rreziqet eventuale, si dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të banorëve.

3. Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Gjakovës, në pajtim me kompetencat dhe autorizimet e veta ligjore, të fillojë procedurat për hartimin e një plani rregullativ urban për pjesën e rrugës “Durgut Vokshi” në Gjakovë, me të cilin do të përcaktonte infrastrukturën e nevojshme mjedisore për banorët e kësaj pjese, në pajtim me standardet përkatëse si zgjidhje përfundimtare të këtij problemi

Raporti i plotë i Avokatit të Popullit për ankesën nr. 322/2015, të banorëve të rrugës “Durgut Vokshi” në Gjakovë, në lidhje me problemet që kanë me mjedisin jetësor dhe pengesat në qasjen e rrjetit të kanalizimit të qytetit, i është drejtuar, më 4 mars 2016, Komunës së Gjakovës, respektivisht kryetares së kësaj komune, Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Në pajtim me nenin 132, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 25 të Ligjit për Avokatin e Popullit nr. 05/L-019, Avokati i Popullit pret të informohet për veprimet që do të ndërmarrë Komuna e Gjakovës, lidhur me këtë çështje, si përgjigje ndaj rekomandimeve të lartpërmendura, jo më vonë se deri më 4 prill 2016.

Raportin me rekomandime për Ankesën nr. 322/2015, në formën e tij të plotë, ashtu siç u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse, e gjeni të publikuar këtu në web faqen zyrtare të IAP-së.