Avokati i Popullit bëhet anëtar me të drejta të plota i AOM-it

10/03/2016

Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës u bë sot anëtari i 28-të i Asociacionit të Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), krahas Francës, Spanjës, Greqisë, Shqipërisë, Maltës, Marokut, Palestinës, Algjerisë, Izraelit, Sllovenisë, Maqedonisë, Qipros etj. Ky Asociacion është krijuar më 19 dhjetor 2008, në Marsejë, me rastin e mbledhjes së dytë të Rrjetit Mesdhetar të Ombudsmanëve.

Valletta, 10 mars 2016 – Nën organizmin e Ombudsmanit të Maltës, më 9 – 10 mars 2016, në Valletta, kryeqyteti i Maltës, po mbahet Takimi i nëntë i Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM – Association of the Mediterranean Ombudsmen ), ku Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) u pranua anëtar me të drejta të plota.

Kërkesa e Avokatit të Popullit të Kosovës për anëtarësim në këtë Asociacion u diskutua në ditën e dytë të punimeve, në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit. Me këtë rast u tha se Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës funksionon në përputhje me Statutin e AOM-it dhe kriteret e paracaktuara dhe së këndejmi plotëson kushtet e kërkuara për të qenë anëtar, krahas institucioneve të tjera nacionale të të drejtave të njeriut, anëtare të këtij Asociacioni. Më pas, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme deklaruan veç e veç votën e tyre, gjë që rezultoi me pranimin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës, si anëtar me të drejta të plota në Asociacionin e Ombudsmanëve të Mediteranit (AOM).

Anëtarësimi i Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës në Asociacionin e Ombudsmanëve të Mediteranit (AOM) është një hap i radhës në strukturat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Tema qëndrore e këtij takimi të AOM-it ishte “Ombudsmani – aktor kyç për Qeverisjen e mirë”. Diskutimet theksuan fuqishëm rolin kyç që institucionet e Ombudsmanëve/Mediatorëve kanë për të ndikuar në qeverisjen e mirë të shteteve dhe forcimin e demokracive, ashtu siç kanë rëndësinë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shtetet ku veprojnë. Një pjesë e diskutimeve i kushtuan vëmendje bashkëpunimit të institucioneve anëtare të AOM-it, jo vetëm në këmbimin e përvojave, por edhe për mundësitë për trajnim dhe studime të avancuara lidhur me institucionet e Ombudsmanëve dhe qeverisjen e mirë. U theksua se ndërtimi i një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe një komunikimi dinamik mes vetë këtyre institucioneve ndikon në respektimin dhe fuqizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në vendet respektive. Gjithashtu, në sesion të veçantë të punimeve të këtij takimi, u diskutua mbi rolin e Ombudsmanëve në koordinimin e aktiviteteve në çështje që kanë të bëjnë me çështje të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në kohë krizash ekonomike dhe politike, terrorizmin dhe migrimin jo të rregullt e krizat me refugjatët.