Fjala e Avokatit të Populllit në përmbyllje të vitit kalendarik 2015

30/12/2015

Viti që po lëmë pas, ka shënuar 15 vjet nga themelimi i Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), kur për herë të parë ishin hapur dyert për të pranuar qytetarët e vendit, sa herë ata konsideronin se të drejtat e tyre cenoheshin nga autoritetet publike.  Kisha fatin te jem një nga tre juristët vendor që filluam të punonim nga ajo ditë, për të vazhduar më tutje si drejtor hetimesh dhe zëvendës e ushtrues detyre i Ombudspersonit të atëhershëm, për t’u rikthyer, në korrik të këtij viti, si i zgjedhur nga Parlamenti i Republikës së Kosovës,  në krye të këtij Institucioni .

Përmbyllja e vitit kalendarik 2015 shënon edhe përmbylljen e një viti pune në trajtimin  e rasteve që hetohen nga ana e Avokatit të Popullit.  Angazhimi im dhe i bashkëpunëtorëve të mi gjatë kësaj periudhe është përqendruar  në ngritjen e besimit të Avokatit të Popullit, rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve dhe fuqizimin e IAP-së, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit me mediat, shoqërinë civile dhe me institucionet publike në funksion të promovimit e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, zbatimit të ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies.

Pasqyra e të dhënave preliminare të statistikave të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2015 tërheq edhe njëherë vëmendjen se respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut vazhdon të mbetet çështje sfiduese për autoritetet publike në vend. Funksionimi i sistemit të drejtësisë, ashtu siç dhe ofrimi i shërbimeve administrative  efektive mbeten fusha ku kërkohet vëmendje e veçantë.

Në anë tjetër, është sinjal pozitiv progresi në zbatimin e rekomandimeve nga autoritetet në masë prej 50%,  në 6 mujorin e dytë të këtij viti,  në krahasim me 11% të zbatimit të rekomandimeve në 6 mujorin e parë. Kjo tregon se komunikimi dhe respekti i ndërsjellë i rolit dhe mandatit institucional, ofrojnë rezultate në dobi të qytetarit, çfarë është edhe synim i përbashkët.

Me shpresën se viti 2016 do të jetë vit i mbarë e prosperues për gjithë qytetarët e vendit, Avokati i Popullit do të vazhdoj të jetë institucion përmes të cilit do të mund të adresohen dhe të gjejnë zgjidhje  shqetësime  dhe ankesa të qytetarëve kundrejt veprimeve apo mosveprimeve të autoriteteve publike. Njëkohësisht, Avokati i Popullit do të jetë vlerësues dhe promovues i praktikave të mira e pozitive,  me qëllim të konsolidimit të vlerave demokratike, të cilat në bazamentin e vet kanë të drejtat dhe liritë e njeriut, të garantuara me Kushtetutën e vendit , ashtu siç edhe me Marrëveshjet dhe Instrumentet  Ndërkombëtare, të zbatuara drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës.

Të drejtat e njeriut kanë qenë parim udhërrëfyes dhe çështje qendrore e ndryshimeve në këtë vend dhe si të tilla ato duhet të vazhdojnë të prijnë në forcimin e demokracisë dhe shtetit dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Gëzuar për të gjithë 2016-tën!