Njoftim i Avokatit të Popullit lidhur me shkresën drejtuar Prokurorisë, sa i përket ngjarjeve të datës 28 Nëntor 2015

04/12/2015

Prishtinë, 4 dhjetor 2015 – Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese që të bëj hetime “[…] nëse nga konstatimet, dëshmitë dhe faktet e paraqitura me parashtresë ose nga njohuritë e fituara në mënyrë tjetër, ka bazë të rezultojë se nga ana e autoriteteve janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut […]” (Neni 16, paragrafi 4 i Ligjit 05/L-019 për Avokatin e Popullit), Avokati i Popullit ka hapur hetime Ex officio nr. 664 /2015, si dhe sot, me një shkresë të veçantë, i është drejtuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Me anën e kësaj shkrese drejtuar, Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë,   Avokati i Popullit, e njofton atë se përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë monitoruar zhvillimin e ngjarjeve, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, më 28 nëntor 2015 dhe kanë intervistuar disa nga personat e lënduar në QKUK, si dhe personat e ndaluar nga policia në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë.

Duke pasur parasysh seriozitetin dhe peshën e kësaj çështjeje, shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut, si dhe interesin e opinionit publik të shprehur lidhur me këtë rast, Avokati i Popullit i kërkon Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me ngjarjet e 28 nëntorit 2015, ngase bazuar në pohimet e të intervistuarve në QKUK dhe Qendrën e Ndalimit, bëhet fjalë për përdorim të forcës së tepruar nga ana e policisë.