Institucioni i Avokatit të Popullit pranon pronësinë e platformës “Njih të drejtat tua” nga Innovations Lab Kosovo i UNICEF-it

02/12/2015

Prishtinë, 2 dhjetor 2015 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë/ Innovations Lab Kosovo, organizuan një ngjarje me palët kyçe të nivelit qendror dhe lokal, të rinjë, shoqëri civile dhe media, për ta dorëzuar Platformën “Njih të drejtat tua”, nga UNICEF tek IAP.

“Njih të drejtat tua” është një platformë e zhvilluar nga Innovations Lab Kosovo i UNICEF-it në bashkëpunim me IAP, që u ndihmon personave të rinjë të pajisen me njohuri dhe të kuptojnë të drejtat e tyre sipas legjislacionit të aplikueshëm, përmes navigimit të lehtë, përshkrimit më të thjeshtë të të drejtave të personave të rinjë (të moshës 16-29 vjeç). Udhërrëfyesi i të Drejtave i Platformës mbulon të drejtat kyçe në fushat e prioritizuara nga të rinjtë, përfshirë: edukimin, shëndetësinë, komunitetet minoritare, punësimin, familjen, drejtësinë, angazhimin në komunitet, përfitimin social dhe fuqizimin e rinisë. Përshkrimet e secilës të drejtë përcillen me emërtimin e institucioneve që janë përgjegjëse për zbatimin e të drejtave, e po ashtu edhe të atyre ku të rinjtë mund të adresojnë ankesat nëse të drejtat e tyre janë cenuar.

Platforma përmban një seksion që detajon procesin e adresimit  të ankesave tek IAP dhe ofron një mekanizëm për të skeduar raportimet, drejtpërdrejtë përmes platformës “Njih të drejtat tua.”

Kosova është një vend me popullsinë më të re në Evropë. Më shumë se 70% e popullsisë janë nën moshën 35 vjeçare. Në vitin 2014, të rinjtë në Kosovë kishin pothuajse dy herë më shumë mundësi, që të jenë të papunë, krahasuar me të rriturit.

Marrë parasysh gjendjen e të rinjëve në Kosovë, në veçanti të atyre që vijnë nga grupet e margjinalizuara dhe të cenuara, atyre u nevojiten njohuri për të drejtat e tyre të garantuara, si një hap i parë për t’u bërë avokatë më të mirë të vetvetes. Për të adresuar këto nevoja, Innovations Lab Kosovo i UNICEF-it ka punuar me të rinjtë për ta dizajnuar platformën për t’iu bërë të mundur të rinjëve të hulumtojnë të drejtat e tyre dhe të lidhen me Avokatin e Popullit në rast të shkeljeve.

Përmes një partneriteti të ngushtë mes UNICEF-it dhe IAP-së, kampanja u lansua një vit më parë, përmes ngjarjeve të ndryshme, si: punëtori  me nxënës në shkolla, gjithandej nëpër Kosovë, tryeza të rrumbullakëta mbi të drejtat e të rinjëve, me partner nga të rinjtë dhe partnerë institucional, shpërndarje të materialeve promovuese në qendrat komunale të të rinjëve etj. Platforma tanimë ka më shumë se 8 mijë përdorues dhe është vizituar më shumë se 30 mijë herë. Përdorimi i platformës ka qenë pozitiv që nga fillimi dhe pritet që të rritet në vazhdimësi, edhe pas dorëzimit të platformës nga UNICEF-i tek IAP, përmes së cilës do të vazhdohet kampanja promovuese me nxënësit e shkollave të mesme. Si një lider institucional në monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ashtu siç edhe një partner kryesor në dizajnimin dhe zbatimin e platformës “Njih të drejtat tua”, IAP ka për qëllim ta promovoj dhe ta aplikoj platformën përmes përmbushjes së misionit të vet, në veçanti për të rinjtë.

### Lidhur me UNICEF-in

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në gjithçka që bën. Bashkërisht me partnerët e vet, UNICEF-i punon në 190 shtete dhe territore që të shndërrojë përkushtimin në veprime praktike, duke fokusuar angazhim të veçantë për fëmijët e cenuar dhe të përjashtuar, në të mirën e fëmijëve, çdo kund.(www.unicef.org)

### Lidhur me Innovations Lab Kosovo

Njësia e UNICEF-it të Kosovës, Innovations Lab Kosovo, që ka filluar në Kosovë më 2010, është shtëpia e ekipit multidisiplinarë të punës përgjatë sektorëve dhe fushave për të identifikuar metodat, partnerët, teknologjitë dhe mjetet që premtojnë përdorime të reja informative dhe teknologjike, ndryshime efektesh përmes komunikimit dhe fuqizim të të rinjëve, që të jenë promovues të ndryshimeve dhe partnerëve, në angazhimin për një botë më të përshtatshme për fëmijët. Programet e Innovations Lab Kosovo zbatohen në bashkëpunim me OJQ-në Peer Educators Network (PEN). (www.kosovoinnovations.org)

### Lidhur me IAP

Avokati i Popullit monitoron, mbron dhe promovon të drejtat dhe liritë e individëve, përfshirë këtu edhe të rinjtë, nga veprimet apo mosveprimet e paligjshme të autoriteteve publike.  Avokati i Popullit ka kompetenca të hetojë ankesat e pranuara nga çdo person fizik apo juridik në Kosovë, që pohon shkelje të të drejtave të njeriut të parapara me kornizën ligjore në Kosovë, në të cilën, po ashtu përfshihen instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. (www.ombudspersonkosovo.org)


World Bank: In Kosovo: Helping Young People Join Society, 2013