Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas

25/11/2015

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, shënohet me qëllim të parandalimit të dhunës ndaj grave, e cila është një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut. Duke folur kundër dhunës, thyhet zingjiri i heshtjes me të cilin është e lidhur dhuna në familje dhe ndikohet drejtpërdrejtë në parandalimin e përhapjes së dhunës në të gjitha sferat e tjera të jetës, posaçërisht për grupet më të cenueshme, për gratë dhe fëmijët e kësaj shoqërie.

Dhuna ndaj grave është një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut dhe mbetet pengesë e madhe në realizimin e barazisë, prosperitetit dhe paqes në shoqëri. Për Avokatin e Popullit mbetet shqetësues fakti se dhuna në familje, me theks të veçantë dhuna ndaj grave, vazhdon të jetë problem evident në shoqërinë tonë. Vetëm një numër i vogël i rasteve të dhunës në familje raportohet tek autoritetet kompetente për trajtimin e kësaj çështje, por ekziston perceptimi që në realitet ky numër është shumë më i madh. Posaçërisht, në zonat rurale, pozita sociale e femrës është qartas e nënshtruar ndaj asaj të mashkullit dhe shoqëria është shumë pak e vetëdijshme për konceptin e barazisë gjinore. Në shumicën e rasteve viktimat më të shpeshta të dhunës në familje janë fëmijët, gratë dhe pleqtë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Avokati i Popullit, tërheq vëmendjen në domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe në mënyrë të përshtatshme nga autoritetet kompetente, veçanërisht në rastet kur dhuna në familje lajmërohet. Është i pajustifikueshëm mos veprimi apo dështimi i institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur viktimën(at). Ka disa raste të bëra publike, përfshirë edhe rastet që janë shënuar gjatë këtij viti, ku si pasojë e dhunës në familje dhe si rezultat i mosveprimit të autoriteteve kompetente, kemi pasur humbje jete.

Humbja e jetëve duhet të jetë një alarm për të gjithë institucionet  përgjegjëse shoqërore! Në rastet e dhunës në familje mekanizmat shtetërorë duhet të garantojnë mbrojtjen sociale, ekonomike, shëndetësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës në familje. Në Kosovë, ekziston një bazë solide ligjore për mbrojtjen nga dhuna në familje, përfshirë këtu edhe Ligjin për kompensim të viktimave të krimit Nr. 05/L -036, i cili, përkundër faktit se u njeh viktimave të dhunës në familje të drejtën e kompensimit financiar, si viktima të veprave të dhunshme penale, vazhdon të jetë i pazbatueshëm.

Avokati i Popullit konsideron se është e nevojshme që në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të përfshihet edhe Konventa e Këshillit të Evropës (Konventa e Stambollit) për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2014. Një thirrje e tillë bëhet edhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian.

Avokati i Popullit rithekson se bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe shoqërisë në tërësi, për parandalimin e dhunës ndaj gruas është i domosdoshëm, me qëllim të parandalimit të dhunës ndaj grave dhe për të formësuar një ambient të përgjithshëm ku dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe e pa tolerueshme.

25 Nëntori është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Gruas, në shenjë përkujtimi dhe nderimi për motrat Mirabel, të cilat u vranë në mënyrë brutale në Republikën Dominikane në vitin 1960. Po ashtu, kjo ditë shënon edhe fillimin e fushatës së 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave.

Institucioni i Avokatit të Popullit qysh në vitin 2005, në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore, themeloi Njësinë për Barazi Gjinore, në mënyrë që t’i pranoj dhe t’i trajtoj ankesat ku pohohet diskriminimi i bazuar në gjini, si dhe të promovoj dhe monitoroj barazinë gjinore. Gjithashtu, kjo njësi ka për detyrë që të pranoj, të hetoj dhe të vendosë lidhur me ankesat që kanë të bëjnë me dhunën kundër grave.