Avokati i Popullit publikoi Raportin lidhur me të drejtën për shtetësi, të drejtën për përdorimin e gjuhës dhe të drejtën për gjykim të drejtë
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin për rastin nr. 290/2015, në lidhje me të drejtën për shtetësi, të drejtën për përdorimin e gjuhës dhe të drejtën për gjykim të drejtë.
Në qershor të këtij viti, ankuesi ka paraqitur ankesë kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme(MPB) në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP), me pohimin për shkelje të të drejtave të njeriut, lidhur me përdorimin e gjuhëve zyrtare në procedurë para organit kompetent Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DSHAM), lidhur me të drejtën për shtetësi, si dhe për mosrespektimin e rregullores së punës të Komisionit të Ankesave për Shtetësi (KASH), me rastin e ushtrimit të autorizimeve ligjore, gjatë vendosjes sipas kërkesës së ankuesit për pranimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Bazuar në faktet, provat dhe informacionet të cilat i ka disponuar IAP , si dhe në instrumentet relevante lidhur me ankesën: Kushtetutën e Republikës së Kosovë, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi Nr. 05/L-021, Ligjin për përdorimin e gjuhëve nr. 02/L-37, Ligjin për Shtetësinë e Kosovës Nr. 04/L-215, Ligjin për Procedurën Administrative Nr. 02/L-28, Udhëzimin administrativ (UA) nr. 05/2014 i MPB-së, UA.nr. 06/2014, Deklaratë Universale e të Drejtave të Njeriut ( 10 dhjetor 1948), Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore të Njeriut (4 nëntor 1950), Avokati i Popullit ka konstatuar se:
· dispozita koncize e nenit 15 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut e vitit 1948, çdo individi, pa marrë parasysh ku ndodhet, i jep të drejtën për një lidhje ligjore me shtetin në bazë të shtetësisë, si një nga të drejtat themelore të njeriut;
· meqë statusi i shtetësisë është një kusht i rëndësishëm për fitimin e shumë të drejtave (politike, civile, ekonomike, sociale, kulturore dhe të tjera), është e domosdoshme zgjidhja urgjente e kësaj çështjeje dhe autoritetet kompetente shtetërore janë të detyruara t’i respektojnë aktet ligjore dhe t’i heqin pengesat administrative, të cilat mund të çojnë deri te ndonjë formë e diskriminimit të cilitdo qytetar në procesin e fitimit të shtetësisë;
· Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 24, garanton mbrojtje të barabartë ligjore pa diskriminim në çfarëdo baze, si dhe mbrojtje të barabartë të të drejtave para organeve shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike, e rregulluar me edhe me Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi nr. 05/L-021.
· çështja e statusit të barabartë të gjuhës shqipe dhe serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë, si dhe përdorimi i tyre i barabartë në të gjitha institucionet e Kosovës, është rregulluar me Kushtetutë (neni 5) dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve nr. 02/L-37 dhe si e tillë, pa përjashtim dhe plotësisht duhet të respektohet dhe zbatohet;
· parimi i trajtimit të ligjshëm, në kuptim të nenit 3, paragrafit 1 të LPA, u jep parashtruesve të kërkesave garanci të caktuara;
· në kuptim të nenit 10 të UA nr. 06/2014, nuk është respektuar rregullorja e punës dhe ankuesi nuk është informuar për datën shqyrtimit të ankesës së tij para KASH, me çka ankuesit nuk i është dhënë mundësia dhe i është mohuar e drejta të marrë pjesë, ose të jetë i përfaqësuar nga një avokat në procesin e shqyrtimit të të njëjtës dhe të ofrojë sqarime shtesë në lidhje me kërkesën e tij.
· DSHAM-KASH, në kuptim të nenit 55, paragrafi 1, të LPA, për shkak të rëndësisë të të drejtës për të cilën vendoset, është dashur të shfrytëzojë edhe metoda të tjera për të dëshmuar, për të bërë verifikimin e provave, të bëjë inspektimin në evidencën ekzistuese të dokumenteve personale të qytetarëve nga periudha para 1 janarit 1998, të cilat i disponon ministria.
· sa i përket shqyrtimit dhe vlerësimit të provave të paraqitura në rastin konkret dhe në bazë të fakteve të verifikuara të paraqitura në këtë raport, interpretimit të ligjit dhe vetë procedurës, Avokati i Popullit vëren se MBP-DSHAM-KASH nuk i kanë shqyrtuar me kujdesin e duhur të gjitha provat në shkresat e lëndës dhe për këtë arsye në procesin e vendimmarrjes janë bërë gabime materiale dhe formale.
· në kuptim të vlerësimit të provave të paraqitura në rastin konkret, duke u nisur nga gjendja faktike e paraqitur në pikën 12 të këtij raporti, Avokati i Popullit është i mendimit se ankuesi i plotëson kërkesat në pajtim me nenin 32 të Ligjit për Shtetësinë e Kosovës; nenin 3, paragrafin 1.3 dhe 4, dhe nenin 4, paragrafin 1.2. UA 05/2014. Për regjistrimin në regjistrin e shtetasit të Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë e analizës dhe hetimit të rastit, Avokati i Popullit konstaton se gjatë procedurës administrative MBP-DSHAM-KASH, si organ kompetent në rastin konkret e ka shkelur të drejtën e ankuesit për shtetësi, të drejtën e ankuesit për të përdorur gjuhën dhe të drejtën për një gjykim të drejtë, të drejta këto të garantuara me dispozitat ligjore në fuqi.
Me këtë rast Avokati i Popullit rekomandon Ministrinë e Punëve të Brendshme që :
- Të sigurojë që gjatë veprimtarisë administrative DSHAM-KASH të marr në konsideratë dhe t`iu jap peshën që u takon të gjithë faktorëve që lidhen me një akt të caktuar administrativ. DSHAM duhet të vendosë një balancim të drejtë mes interesave publike dhe interesave private në mënyrë që të evitohen ndërhyrjet e panevojshme në të drejtat dhe interesat e personave fizikë dhe juridikë. Përfundimi i rastit në Gjykatë nuk përbën mjet efektiv juridik duke pasur parasyshë zgjatjen e proceseve gjyqësore përtej afateve të arsyeshme, e që paraqet cenim të të drejtave të përcaktuara me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës.
- Të sigurojë që në të gjitha rastet kur vendoset për shtetësi DSHAM-KASH gjatë procedurës vendimmarrëse të respektojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Ky Raport i Avokatit të Popullit për ankesën nr. 290/2015, i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, si institucion përgjegjës, si dhe Komisionerit për gjuhë dhe pret përgjigje në shqetësimet e ngritura lidhur me rastin, jo më vonë se më 25 dhjetor 2015.
Raporti i plotë lidhur me këtë rast, ashtu siç është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse, bëhet publik në web faqen zyrtare të IAP-së (kliko këtu për Raportin e plotë) dhe u shpërndahet mediave, po ashtu.