Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Universale të Fëmijëve

20/11/2015

Që nga viti 1999, data 20 nëntor shënon Ditën Universale të Fëmijëve, e cila përkon me përvjetorin e datës kur Asambleja e Përgjithshme Kombeve të Bashkuara ka miratuar Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës, në vitin 1959, si dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës, në vitin 1989.

Shënimi i kësaj dite ka për qëllim inkurajimin e mirëkuptimit në mes të fëmijëve dhe promovimin e  mirëqenies për ta.  Në funksion të këtij qëllimi, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka intensifikuar aktivitetet që kanë të bëjnë me informimin e fëmijëve lidhur me të drejtat dhe liritë e garantuara, si dhe rolin që ka IAP në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Nga 2 nëntori i këtij viti, IAP është duke zhvilluar një fushatë të veçantë informuese për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, me të cilin aktivitet  shënohet edhe 26 vjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e cila paraqet një nga dokumentet më gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në botë. Gjatë këtyre ditëve përfaqësues të IAP-së janë takuar me nxënës të Prishtinës, Mitrovicës, Gjakovës,  Pejës, Dragashit dhe Ferizajt, me ç ‘rast fëmijët janë dëgjuar lidhur me shqetësimet e tyre, kanë dhënë mendimet dhe qëndrimet lidhur me çështje me të cilat ballafaqohen çdo ditë, jo vetëm në shkollë, por edhe në rrugë e gjetiu ku ata frekuentojnë apo zhvillojnë aktivitetet e përditshme.

Për Avokatin e Popullit mbetet shqetësuese gjendja jo e mirë e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, përfshirë këtu çështje që lidhen me shëndetin dhe mirëqenien e tyre, kujdesin prindëror, dhunën, punët e rrezikshme, arsimimin, mos pjesëmarrjen në vendimmarrje etj.  Së këndejmi, Avokati i Popullit kërkon nga institucionet përgjegjëse, organizatat dhe gjithë mekanizmat që punojnë për fëmijë dhe me fëmijë, t’i shtojnë përpjekjet dhe angazhimin për përmirësimin e situatës në respektimin dhe zbatimin e plotë të të drejtave të fëmijëve, përkatësisht në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve, në përgjithësi.