Komunikatë lidhur me incidentin në Qendrën Korrektuese në Dubravë

13/11/2015

Mekanizmi Kombëtar kundër Torturës i Institucionit të Avokatit të Popullit bashkë me Qendrën Kosovare të të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), më datë 11 dhe 12 nëntor 2015, ka monitoruar Qendrën Korrektuese (QK) në Dubravë dhe Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, për të vlerësuar situatën dhe rrethanat e rastit të incidentit të pretenduar, ndërmjet dy të dënuarve në QK në Dubravë, me ç’rast  një i dënuar kishte raportuar se ishte dhunuar nga një i dënuar tjetër, në ambientet e Pavijonit 2, më datë 6 nëntor 2015.

Pas hetimit dy ditor të rrethanave dhe dëshmive lidhur me rastin në fjalë, monitoruesit  kanë vlerësuar se nuk është konstatuar pretendimi për përdorim të dhunës apo kërcënimit ndaj të dënuarit në QK në Dubravë. Ky vlerësim mbështetet edhe në konstatimin në raportin mjekësor të datës 7 nëntor 2015, të Shërbimit Shëndetësor në QK në Dubravë.

Monitoruesit vlerësojnë nevojën për një vëmendje më të shtuar të Shërbimit Korrektues dhe një qasje më proaktive parandaluese ndaj fenomenit të ngacmimit,  abuzimit seksual, shantazhit apo keqpërdorimit të pozitës-statusit social ndërmjet të dënuarve në institucionet korrektuese të Kosovës.

Monitoruesit më tej kërkojnë nga Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve në Kosovë, që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, të adresojë dhe trajtojë dukuritë e tilla në institucionet korrektuese, e po ashtu të ngre nivelin e kualitetit të raportimit të këtyre rasteve, pasi raporti përkatës është i mangët në pikëpamje të vlerësimit dhe evidentimit të parametrave vital të personit të ekzaminuar.

Monitoruesit duke vepruar sipas mandatit ligjor do të vazhdojnë të trajtojnë dhe të raportojnë çdo rast të pretendimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut apo edhe të çfarëdo forme të keqtrajtimit të personave të privuar nga liria.