Avokati i Popullit publikoi dy Raporte lidhur me zvarritje procedurash gjyqësore

06/11/2015

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot dy Raporte të ndara, për dy ankesa lidhur me zvarritje procedurash gjyqësore.

Rasti i parë ka të bëj me Ankesën nr. 66/2015 lidhur me kohëzgjatjen e procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Graçanicë, e paraqitur në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP), në muajin shkurt të këtij viti.

Ankuesi pohon në ankesën e tij se ai është në pritje nxjerrjes së aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Themelore, më shumë se gjashtë vjet. Pasi gjykata në fjalë, pas katër viteve të mos veprimit në lëndën e ankuesit, caktoi tri seanca në vitin 2013, nga veprimi i fundit deri më tani ka kaluar dy vjet dhe gjykata nuk ka ndërmarrë asnjë hap procedural lidhur me lëndën në fjalë, e cila nga natyra e vet kërkon urgjencë në veprim, meqë bëhet fjalë për një kontest në fushën e marrëdhënieve të punës. Kjo zvarritje përbën shkelje të të drejtës së tij për një proces të rregullt brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, Avokati i Popullit vëren se nuk ekziston asnjë qasje ligjore, përmes së cilës ankuesi në rastin konkret ka mund të ankohej për zvarritjen e procedurës me mundësi të realizimit të ndihmës parandaluese apo kompensuese, që paraqet shkelje të të drejtave të ankuesit për mjet ligjor efektiv të garantuar me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i Popullit rekomandon Gjykatën Themelore në Prishtinë që:

  • Të sigurojë, duke marrë parasysh vonesat e mëhershme, që Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë të vazhdojë me procedimin e lëndës së ankuesit, pa vonesa të mëtejshme.

Avokati i Popullit rekomandon Qeverinë e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që:

  • Të sigurojnë mjete financiare dhe të emërojnë numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve në gjykatat themelore dhe degët e tyre, ose të ndërmarrin masa të tjera të nevojshme për të siguruar shqyrtimin e lëndëve si dhe dorëzimin e aktgjykimeve të gjitha palëve brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Avokati i Popullit rekomandon Këshillin Gjyqësor të Kosovës që:

  • Të iniciojë përpilimin e një instrumenti ligjor që do të përbënte një mjet efektiv në kuptim të nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që siguron lehtësim në formë të parandalimit apo kompensimit lidhur me ankesat për  zvarritje të procedurës gjyqësore.

Raporti i plotë i Avokatit të Popullit për ankesën nr. 66/2015, në lidhje me kohëzgjatjen e procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë u është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe pret përgjigje në shqetësimet e ngritura lidhur me rastin, jo më vonë se deri më 6 dhjetor  2015.

Këtë Raport, në formën e tij të plotë, ashtu siç u është përcjellë institucioneve gjegjëse, e gjeni të publikuar në web faqen zyrtare të IAP-së (kliko këtu). I njëjti, gjithashtu u shpërndahet mediave.

Raporti tjetër ka të bëj me Ankesën nr. 305/2015 lidhur me mos ekzekutimin e vendimit të plotfuqishëm në rastin E.nr.193/2008, të datës 18 mars 2008, nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Qëllimi i këtij raporti është tërheqja e vëmendjes Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me nevojën e ndërmarrjes së veprimeve përkatëse për ekzekutimin e këtij vendimi, pa vonesa të mëtutjeshme.

Ky raport është i bazuar në ankesën e paraqitur dhe mbështetet në faktet dhe provat e ankuesit, si dhe nga shkresat e lëndës të cilat i posedon Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), lidhur me zvarritjen e procedurës gjyqësore në ekzekutimin e vendimit gjyqësor.

Duke pasur parasysh ankesën e parashtruesit lidhur me dështimin e gjykatave themelore për të vendosur në rastin e tij, Avokati i Popullit, bazuar në analizën e dëshmive dhe fakteve, vëren se e drejta për proces të rregullt gjyqësor, brenda një afati të arsyeshëm dhe e drejta për mjete efektive juridike, nuk është përmbushur, pasi gjykata themelore, ka zvarritur ekzekutimin e lëndës së ankuesit për më shumë se 7 vite, procedurat e së cilës janë iniciuar që nga viti 2002 dhe ende nuk janë vendosur përfundimisht deri në ditën e nxjerrjes së këtij raporti; se zvarritje të tepruara të procedurave gjyqësore dhe pa një zbatim te vendimit gjyqësor janë në kundërshtim me të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor, brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me nenin 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ. Në të vërtetë, në kuptim të shkeljes së të drejtës për shqyrtim të drejtë dhe në afat të arsyeshëm kohor, që garantohet me nenin 6 të KEDNJ, përbën shkelje edhe të të drejtës së tij për mjet efektiv juridik, në bazë të nenit 13 të KEDNJ.

Prandaj, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16, paragrafi 8 të Ligjit për Avokatin e Popullit, si dhe bazuar në analizën ligjore, në cilësinë e rekomanduesit, duke iu referuar argumenteve të parashtruara në këtë Raport, me qëllim të përmirësimit të punës në sistemin gjyqësor të Kosovës,

Avokati i Popullit, rekomandon Gjykatën Themelore në Prishtinë

  • Të marrë masa të menjëhershme për ekzekutim të vendimit  gjyqësor të formës së prerë në lëndën E.nr. 193/2008, të datës 18 mars 2008.

Raporti i plotë i Avokatit të Popullit për ankesën nr. 305/2015, në lidhje me mos ekzekutimin e vendimit të plotfuqishëm në rastin E.nr.193/2008, të datës 18 mars 2008, nga Gjykata Themelore në Prishtinë i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe pret përgjigje në shqetësimet e ngritura lidhur me rastin, jo më vonë se deri më 6 dhjetor  2015.

Këtë Raport, në formën e tij të plotë, ashtu siç i është përcjellë institucionit gjegjës, e gjeni të publikuar në web faqen zyrtare të IAP-së (kliko këtu). I njëjti, gjithashtu u shpërndahet mediave.