U mbajt punëtoria mbi sfidat dhe mundësitë e zbatimit të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi
Sot në Prishtinë u mbajt punëtoria me temën “Zbatimi i Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi-Procedurat dhe Autoritetet përgjegjëse- Avokati i Popullit, Gjyqësori dhe akterët e tjerë- Sfidat dhe Mundësitë”, e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim(UNDP).
Si mekanizëm për trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me diskriminimin, Avokati i Popullit, ka diskutuar bashkë me përfaqësues kyç të sistemit gjyqësor, lidhur me mundësitë dhe sfidat e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe procedurat dhe sanksionet gjatë shtjellimit të rasteve me bazë diskriminimi.
Në korrik të këtij viti, ka hyrë në fuqi pakoja e ligjeve për të drejtat dhe liritë e njeriut, ku përfshihen Ligji per Avokatin e Popullit, Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili i jep kompetenca shtesë dhe e fuqizon rolin e Avokatit të Popullit, përtej kërkesave që përcakton dhe obligon Ligji bazë për Avokatin e Popullit.