Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vonesat në emërimin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit
Avokati i Popullit ka pranuar një numër ankesash kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (më tutje AKP), lidhur me vonesat në shpërndarjen e mjeteve apo në kompensimin e kreditorëve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.
Bazuar në nenin 18, paragrafi 1.2 të Ligjit për Avokatin e Popullit Nr. 05/L-019, Avokati i Popullit ka përgjegjësi “Të tërheqë vëmendjen për rastet kur autoritetet i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandime që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e autoriteteve përkatëse në lidhje me rastet e tilla.”
Avokati i Popullit vlerëson se mosemërimi i Bordit të AKP-së, i cili ka rol qenësor, më mes të tjerash, në miratimin e shpërndarjes së mjeteve dhe kompensimin e kreditorëve, paraqet ndërhyrje në të drejtën pronësore të ankuesve dhe po ashtu paraqet shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Në Raportin e publikuar sot, i cili u është dërguar institucioneve përgjegjëse, Avokati i Popullit rekomandon:
1. Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmerr të gjitha veprimet e domosdoshme për propozimin e tre anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, sipas nenit 4, paragrafit 3 të Ligjit nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës të emërojë anëtarët e Bordit të AKP-së, në mënyrë që Bordi të kompletohet dhe të bëhet funksional ose së paku ta ketë kuorumin e duhur, sa më shpejtë që është e mundur, në mënyrë që të ndalohen shkeljet e shkaktuara nga mungesa e Bordit.
3. Nga akterët e përfshirë në çështjet e propozimit dhe emërimit të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të AKP-së të vendoset procedura për emërimin e tre anëtarëve, të cilët deri më 31 gusht 2014 i kishte emëruar Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar.
Këtë Raport me rekomandime të Avokatit të Popullit lidhur me vonesat në emërimin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ashtu siç u është përcjellë institucioneve gjegjëse, e gjeni të publikuar në web faqen zyrtare të IAP-së (këtu). I njëjti, gjithashtu u shpërndahet mediave.