IAP anëtar me të drejtë vote në AOMF
Nga 13-15 tetor 2015, në Quebec të Kanadasë, është mbajtur Kongresi i 9-të i Asociacionit të Ombudspersonëve dhe Ndërmjetësuesve të Frankofonisë (AOMF), ku Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) u pranua anëtar me të drejta të plota.
Tema kryesore e këtij kongresi ishte “Ombudsmani/Mediatori, promovues i qeverisjes së mirë dhe mbrojtës i integritetit të administratës”. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë që institucionet e Ombudsmanëve / Mediatorëve kanë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shtetet ku veprojnë, si dhe rëndësisë së bashkëpunimit të këtyre institucioneve dhe këmbimit të përvojave, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve në çështje që kanë të bëjnë me luftimin e fenomeneve negative siç është korrupsioni dhe keqadministrimi.
Kërkesa e Avokatit të Popullit të Kosovës për anëtarësim në këtë asociacion u përcoll përmes raportit të kryetarit të Komitetit të Aderimeve z. Marc Betrand, në ditën e tretë të punimeve të këtij Kongresi. Në pjesën e raportimit të tij për Kosovën, z. Betrand ka thënë se është analizuar ligji, aktiviteti, raporti vjetor, si dhe anëtarësimi i IAP-së në disa organizata ndërkombëtare, duke veçuar faktin se Kosova është shtet në tranzicion. Ai ka ftuar të pranishmit që të vizitojnë ueb faqen e IAP-së dhe të binden për punën dhe aktivitetet e IAP-së. Me rekomandimin pozitiv të Komitetit të Aderimeve gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme dhe pa kundërshtime lidhur me këtë rekomandim, znj. Raymonde Saint-German (Mbrojtëse e qytetarëve të Quebec-ut), kryesuesja e deritanishme e Asociacionit, e ka deklaruar IAP-në të pranuar në AOMF dhe ka shtuar se, gjatë mbledhjeve dhe aktiviteteve në të ardhmen, IAP do të ketë edhe të drejtën për të votuar.
Me këtë rast, duhet theksuar ndihmën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të Avokatit të Popullit të Shqipërisë z. Igli Totozani dhe bashkëpunëtorëve të tij, për anëtarësimin e IAP-së në këtë asociacion.
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, u zgjodh edhe kryesuesi i ri i Asociacionit, z. Marc Bertrand (Ombudsmani i Valonisë) i cili do të kryesoj asociacionin në tre vitet e ardhshme.
Punimet e kongresit u mbyllën me miratimin e Deklaratës së Quebec-ut e cila bën thirrje për forcimin dhe konsolidimin e institucioneve të ndërmjetësimit (Ombudsmanëve) si promovues të vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Rikujtojmë se IAP është i vetmi institucion kombëtar për të drejtat e njeriut në Kosovë. Si i tillë, deri më tani është anëtarësuar në Institutin Ndërkombëtar të Ombudsmanëve (IOI), Institutin Evropian të Ombudsmanëve (EOI), Rrjetin Evropian të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI), Rrjetin e Ombudsmanëve për Fëmijë të Evropës Juglindore (CRONSEE), Deklaratën e Sarajevës për Bashkëpunim Rajonal.
Anëtarësimi në Asociacionin e Ombudsmanëve dhe Ndërmjetësuesve të Frankofonisë (AOMF) është një hap i radhës në strukturat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përderisa është në pritje të përgjigjes pozitive për anëtarësim në Asociacionin e Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), ku ka aplikuar vitin e kaluar.
——————————————————————
*AOMF u krijua në vitin 1998. Roli kryesor i asociacionit është promovimi i rolit të Ombudsmanëve dhe Mediatorëve, si dhe konsolidimi dhe inkurajimi i institucioneve të pavarura të këtij lloji në hapësirën frankofone. Po ashtu, asociacioni dhe anëtarët e saj angazhohen në promovimin dhe mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe paqes sociale në hapësirën frankofone