Avokati i Popullit publikoi Raportin Ex officio në lidhje me procedurën gjyqësore për ankesat kundër vendimeve preliminare për shpronësimin e pronës së paluajtshme
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin me rekomandime Ex officio, rasti nr. 517/2015, në lidhje me procedurën gjyqësore për ankesat kundër vendimeve preliminare për shpronësimin e pronës së paluajtshme.
Ligji Nr. 03/L-139 (i ndryshuar dhe plotësuar nga Ligji Nr. 03/L-205) për shpronësimin e pronës së paluajtshme, përcakton një procedurë të veçantë për ankesat gjyqësore kundër vendimeve preliminare për shpronësim të nxjerra nga Qeveria ose komuna. Sipas kësaj procedure, me rastin e paraqitjes së një ankese kundër vendimit preliminar, “gjykata . . . nxjerr aktgjykimin mbi rastin brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të përgjigjes së Organit Shpronësues [ndaj ankesës së paraqitur]” (id., neni 35, paragrafi 6, nënparagrafin 3) dhe “[n]ëse gjykata nuk e nxjerr aktgjykimin brenda periudhës tridhjetë (30) ditore . . . , gjykata konsiderohet përfundimisht se ka nxjerrë aktgjykim për refuzimin e ankesës në tërësi menjëherë pas skadimit të kësaj periudhe tridhjetë (30) ditore” (id.,neni 35, par. 8).
Ky raport ka dy qëllime kryesore:
(1) të vlerësojë nëse procedura e sipërpërmendur përbën një shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe bie në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe
(2) t’i rekomandojë Kuvendit të Republikës së Kosovës ndryshime dhe plotësime të mëtejshme të Ligjit Nr. 03/L-139, në bazë të këtyre vlerësimeve.
Pas analizës së bazës ligjore, sfondit ligjor dhe vlerësimit të procedurave gjyqësore, Avokati i Popullit ka konstatuar se:
(1) Ligji Nr. 03/L-139 (i ndryshuar dhe plotësuar nga Ligji Nr. 03/L-205) për shpronësimin e pronës së paluajtshme, paraqet një shkelje të së drejtës së pronës, sipas nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 1 të Protokollit të Parë të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
(2) Ligji Nr. 03/L-139 (i ndryshuar dhe plotësuar nga Ligji Nr. 03/L-205) për shpronësimin e pronës së paluajtshme, paraqet një shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, sipas nenit 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Në bazë të këtyre konstatimeve, dhe në përputhje me nenin 135, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16, paragrafi 1 të Ligjit për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit, në këtë Raport, i rekomandon Kuvendit të Republikës së Kosovës që:
(1) Të hiqet në tërësi neni 35, paragrafi 6, nënparagrafi 3 dhe 4 i Ligjit Nr. 03/L-139 (të ndryshuar dhe plotësuar nga Ligji Nr. 03/L-205) për shpronësimin e pronës së paluajtshme
(2) Të hiqet në tërësi neni 35, paragrafi 8 i Ligjit Nr. 03/L-139 (të ndryshuar dhe plotësuar nga Ligji Nr. 03/L-205) për shpronësimin e pronës së paluajtshme.
(3) Të hiqet në tërësi neni 35, par. 13, nënparagrafi 3 dhe 4 i Ligjit Nr. 03/L-139 (të ndryshuar dhe plotësuar nga Ligji Nr. 03/L-205) për shpronësimin e pronës së paluajtshme.
Versionin e plotë të këtij Raporti, Kuvendit të Republikës së Kosovës, mund ta gjeni këtu.