Avokati i Popullit vizitoi Lipjanin
13 tetor 2015 – Sot, Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari ka vizituar Lipjanin dhe është takuar me kryetarin e kësaj komune, z. Imri Ahmeti. Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi i përbashkët i mundësive të bashkëpunimit, me qëllim interesin e qytetarëve, e në suaza të kësaj, rritjen e efektivitetit në zgjidhjen e rasteve që paraqiten në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) e që kanë të bëjnë me komunën e Lipjanit. Gjatë takimit, u bisedua edhe për çështje të tjera, të cilat kërkojnë edhe angazhimin e institucioneve qendrore për t’u tejkaluar . Avokati i Popullit dhe kryetari i Komunës së Lipjanit u dakorduan për kontakte të vazhdueshme me instancat përkatëse ndërmjet dy institucioneve, gjë që do të kontribuojë në komunikim efikas ndërinstitucional dhe maksimizimin e shërbimeve të mira publike.
Po ashtu, në kuadër të vizitave dhe kontakteve të rregullta që IAP ka me institucionet korrektuese dhe qendrat e ndalimit, Avokati i Popullit ka qëndruar sot edhe në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, me ç’ rast ka takuar drejtorin e kësaj Qendre, z. Heset Loku. Takimi u fokusua mbi mundësitë që u ofrohen kryesisht të miturve sa i përket arsimimit të tyre gjatë kohës sa mbahen aty, si dhe u bisedua mbi vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet menaxhmenti dhe stafi i kësaj Qendre. Në takim u vlerësua dyanshëm edhe bashkëpunimi i ndërsjellë që IAP dhe Qendra Korrektuese në Lipjan kanë mes vete.
Në kthim, Avokati i Popullit ndaloi dhe në Qendrën për Azilkërkues, e vendosur në Magure të Komunës së Lipjanit, ku u takua me udhëheqësin e kësaj Qendre, z. Fitim Zariqi me të cilin u bisedua me punën dhe kushtet që ofrohen këtu, për ata persona që kërkojnë azil në vendin tonë. Gjithashtu, z. Jashari u njoftua nga z. Zariqi edhe për gatishmërinë që ka kjo Qendër, edhe në kuptimin e planifikimit, edhe në kuptimin e bashkëpunimit me institucionet e mekanizmat përkatës, që në rast fluksi azilkërkuesish apo emigrantësh, të jenë të përgatitur dhe të përmbushin standardet e kërkuara në të tilla raste. Avokati i Popullit, nga ana e tij shprehu gatishmërinë për bashkëpunim, jo vetëm në kuptimin e monitorimit të respektimit të të drejtave që kanë personat që kërkojnë azil, por edhe sa i përket kontributit të institucionit që ai udhëheq, në kuadër të planifikimit strategjik, për situata kur kjo kërkohet