Featured Image

Avokati i Popullit vizitoi fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë

12/10/2015

12 tetor 2015 – Në vazhdimësi të vizitave që Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari po i realizon nëpër lokalitete të ndryshme nëpër Kosovë, ai sot ka qëndruar në Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, fshatra këto që ndodhen gjeografikisht në pjesën më të skajshme në veri të vendit dhe administrativisht bëjnë pjesë në komunën e Leposaviqit. Z. Jashari ka takuar banorët e këtyre lokaliteteve dhe është interesuar për kushtet dhe vështirësitë më të cilat ata përballen në jetën e përditshme.

Me këtë rast, në emër të këtyre banorëve, për rrethanat në cilat jetojnë, Avokatin e Popullit e njoftuan z. Xhemshit Bekteshi, nënkryetar i Komunës së Leposaviqit për Komunitete dhe z.Haki Imeri, shef i Zyrës për Komunitete dhe Kthim. Ata veçuan problemet e vazhdueshme që banorët e këtyre fshatrave kanë me nxjerrjen e dokumentacionit të nevojshëm,  qoftë në Zyrën e gjendjes civile, qoftë në Zyrën e regjistrimit civil, vështirësitë lidhur me transportin dhe gjendjen e rrugës, mungesën e medikamenteve, papunësinë etj. Me theks të veçantë, z. Bekteshi dhe z. Imeri ngritën çështjen e mungesës së fletëve poseduese për pronat e tyre, të cilat banorët nuk mund t’i sigurojnë nga komuna e Leposaviqit në formë të vlefshme dhe të pranueshme për instancat tjera institucionale në Kosovë. Kjo gjë shkakton pamundësinë për të përfituar nga ndarja e subvencioneve në bujqësi, e po ashtu paraqet pengesë për ndërtimin e shtëpive apo për kthim të qëndrueshëm të banorëve të kësaj ane, ku  deri në vitet 1998-1999, kanë jetuar rreth 1300 banorë, ndërkaq aktualisht aty jetojnë vetëm 200 prej tyre. Po ashtu, ata e shtruan si urgjente nevojën për një kombibus për transportin e 29 nxënësve sa ka shkolla fillore në Bistricë, që mbledh edhe fëmijët e fshatrave Cerajë e Koshtovë.

Avokati i Popullit tha se do të hap hetim zyrtar lidhur me çështjet e ngritura dhe më pas, në varësi të shkeljeve të gjetura, do të paraqes rekomandimet përkatëse kundrejt institucioneve përgjegjëse. “Është obligim i Qeverisë dhe i shtetit që të ofrojë kushte dhe të përmirësojë kualitetin e jetës edhe për banorët e kësaj ane.” ka thënë z. Jashari me këtë rast. Ai ka vizituar edhe ambientet e shkollës dhe ambulancës në Bistricë dhe ka biseduar me personelin arsimor dhe atë shëndetësor që ofron shërbime atje.

Në kthimin e  tij për në Prishtinë, Avokati i Popullit ka vizituar edhe lagjen Kroi i Vitakut, në pjesën veriore të Mitrovicës, me ç’rast ka takuar banorë që jetojnë aty dhe ka biseduar me ta lidhur me sfidat dhe vështirësitë që ata kanë, në përpjekje për të rikthyer funksionimin normal të jetës në atë pjesë.