Avokati i Popullit takoi përfaqësuesit e Institucioneve të Pavarura Kushtetuese
7 tetor 2015 – Me iniciativën e Avokatit të Popullit, z. Hilmi Jashari u mbajt takimi i parë i përbashkët me përfaqësuesit e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), si institucione të pavarura të themeluara me Kushtetutën e vendit.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i përbashkët i sfidave dhe vështirësive me të cilat këto institucione po ballafaqohen, qoftë sa u përket mekanizmave funksionalë qoftë mekanizmave ligjorë dhe çështjeve buxhetore.
U theksua se pavarësia financiare e institucioneve të pavarura dhe sigurimi i kushteve për punë është substancial për të ruajtur natyrën unike dhe specifike që secili prej këtyre institucioneve e kanë veç e veç. Gjithashtu, u bisedua edhe për kornizën ligjore që përkufizon statusin e punonjësve të këtyre institucioneve dhe kompleksitetin nëpër të cilin po kalon për një kohë të gjatë kjo çështje.
Veçanërisht u diskutua mënyra e trajtimit institucional që iu bëhet këtyre institucioneve, përfshirë këtu të gjeturat që këto institucione ia drejtojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes Raporteve vjetore apo raporteve të tjera të veçanta.
Avokati i Popullit, duke pasur parasysh linjën raportuese në kuptimin e përgjegjësisë institucionale, propozoi mbajtjen e takimeve të përbashkëta të institucioneve të pavarura kushtetuese me Presidencën dhe Kryesinë e Kuvendit, në baza të rregullta periodike, gjë që do të mundësonte komunikimin dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë lidhur me përmbushjen e mandateve të këtyre institucioneve. Po ashtu, në parim, të pranishmit në këtë takim, u pajtuan edhe me vazhdimin e kontakteve të rregullta ndërmjet këtyre institucioneve të pavarura kushtetuese, në mënyrë që të arrihet bashkërendim i angazhimit në funksion të tejkalimit të pengesave dhe vështirësive me të cilat këto institucione përballen, në përmbushjen e misionit dhe realizmin e kompetencave që kanë.