Avokati i Popullit vizitoi Mitrovicën
30 shtator 2015 – Në funksion të realizmit të Ditëve të hapura, si pjesë e agjendës së rregullt të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), z. Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, ka qëndruar sot në qytetin e Mitrovicës, me ç’ rast, në zyrën rajonale të IAP-së, qytetarët kanë pasur mundësinë që në mënyrë të drejtpërdrejtë të takohen me të dhe t’ia paraqesin ankesat e tyre, lidhur me çështje të ndryshme.
Po ashtu, gjatë vizitës së tij në qytetin e Mitrovicës, Avokati i Popullit takoi edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, me të cilin bisedoi për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e regjionit të Mitrovicës dhe lidhur me rastet më të shpeshta që paraqiten nga ata në IAP. Z Jashari dhe z. Bahtiri konstatuan bashkërisht nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në funksion të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe theksuan nevojën e angazhimit të institucioneve qendrore të vendit, si domosdoshmëri për zgjidhje efektive të problemeve me të cilat përballen qytetarët e Mitrovicës dhe regjionit të saj.
Gjatë qëndrimit të tij në Mitrovicë, Avokati i Popullit ka vizituar edhe organizatën jo qeveritare CBM ( Community Building Mitrovica), me ç ‘rast u takua me përfaqësues të kësaj organizate. Në këtë takim, z. Jashari shprehu interesimin e tij për bashkëpunim me shoqërinë civile, me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe aktivizimit në projekte dhe aktivitete të përbashkëta. Në këtë takim, Avokati i Popullit u njoh me punën dhe mënyrën e funksionimit të CBM-it, si një nga organizatat jo qeveritare që vepron në regjionin e Mitrovicës.
Takimet e realizuara në Mitrovicë janë në kuadër të një cikli vizitash që Avokati i Popullit po i realizon nëpër qendrat regjionale, ku ndodhen zyrat rajonale të Institucionit të Avokatit të Popullit.