Avokati i Popullit ka vizituar Pejën
8 shtator 2015 – Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, dje ka qëndruar në qytetin e Pejës, në kuadër të një cikli vizitash që planifikohen të realizohen nëpër qendrat regjionale, ku ndodhen zyrat rajonale të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Fillimisht ai ka vizituar organizatën Syri i Vizionit(SiV) ku u prit nga zëvendës drejtori i kësaj organizate, z. Qenan Bardhaj me bashkëpunëtorët e tij. Në këtë takim, Avokati i Popullit u njoh me punën dhe aktivitetet e kësaj organizate, e po ashtu u bisedua edhe për mundësitë e angazhimit në projekte të përbashkëta të IAP dhe SiV. Z. Jashari ka rikonfirmuar interesimin e tij për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucionit që ai udhëheq dhe shoqërisë civile, duke e vlerësuar me këtë rast potencialin njerëzor dhe profesional që ekziston në organizatat joqeveritare, i cili nuk po shfrytëzohet mjaftueshëm nga niveli qendror apo lokal i institucioneve të vendit.
Më pas, Avokati i Popullit ka takuar kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, me të cilin u bisedua mbi rastet më të shpeshta që paraqiten nga kjo komunë në IAP. Në këtë takim u vu theksi në nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit dhe ofrimit të shërbimeve në favor të qytetarëve.
Gjatë qëndrimit të tij në Pejë, Avokati i Popullit ka vizituar edhe Shkollën Speciale për të Verbër “Xheladin Deda”, me ç ‘rast është takuar me drejtorin e kësaj shkolle, z. Xhavit Kastrati si dhe me mësimdhënës të kësaj shkolle. Z. Jashari u interesua mbi kushtet dhe sfidat me të cilat kjo shkollë përballet, nga të cilat u veçua nevoja e shtimit të stafit, meqë, siç u mësua në takim, tashmë kjo shkollë ka shtuar programet dhe shërbimet që ofron, jo vetëm për fëmijët e verbër, nga mosha parashkollore deri në përfundim të shkollës së mesme të lartë, por edhe për raste me dëmtime të shumëfishta, apo shërbime këshill dhënieje për familjarë apo persona që kujdesen për këta fëmijë. Në këtë vizitë, Avokati i Popullit ka dërguar për nevojat e shkollës një sasi buletinësh në alfabetin Brajl me përmbajtje informuese për mandatin dhe kompetencat e IAP-së.
Në përmbyllje të vizitës së tij në Pejë, Avokati i Popullit z. Hilmi Jashari ka dhënë intervistë edhe për Radio Pejën, ku paraprakisht u njoh me disa nga sfidat me të cilat përballet kjo radio, në kuadër të tërësisë së rrethanave që ka në përgjithësi media dhe gazetarët në vend.