Reagim
28 gusht 2015 – Në faqen e nëntë të gazetës Zëri, të datës 28 gusht 2015, gazetari Mentor Buzhala, në shkrimin e tij “Shefi i prokurimit në Antikorrupsion, fiton tender në KEK”, mes të tjerash, përmend në mënyrë të pasaktë Institucionin e Avokatit të Popullit, duke thënë se: “Telashe me agjentët e Hasan Pretenit mund të mos ketë as Institucioni i Avokatit të Popullit, pasi që edhe në këtë institucion, udhëheqës i divizionit të prokurimit është Ahmet Hasani” .
Për të sqaruar opinionin publik dhe për hir të së vërtetës, ju bëjmë me dije se z. Ahmet Hasani nuk punon në IAP, që nga maji i vitit 2014.
Në fakt, z. A. Hasani, mbi bazën e konkursit të rregullt, të shpallur më 16 korrik 2013, ka punuar në IAP për afro tre muaj (nga data 7 tetor 2013 deri më 30 dhjetor 2013). Meqenëse IAP-së i është dashur kohë për procedurat e rekrutimit për zyrtar të ri përgjegjës për menaxhimin e aktiviteteve të prokurimit, më datë 20 janar 2014 është arritur marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), në pajtim me nenin 132 dhe 142 të Kushtetuetës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të nenit 23 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje ka pasur për qëllim caktimin dhe definimin e përgjegjësive të të dyja palëve, lidhur me mbështetjen dhe zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit në IAP, nga ana e z. Ahmet Hasani, menaxher i prokurimit në AKK, për afat të pacaktuar kohor. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, z. A. Hasani ka kryer punë me gjysmë norme në IAP, nga data 21 janar 2014 deri më 17 maj 2014, kur ka hyrë në fuqi Vendimi i IAP-së mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës së z. Ahmet Hasani.
Duke ju referuar të dhënave të parashtruara në këtë sqarim, Institucioni i Avokatit të Popullit e thekson se pohimi i gazetarit për periudhën kohore të punësimit të z. Ahmet Hasani në IAP dhe relevanca që ai krijon ndërmjet kësaj dhe çështjeve të tjera brenda shkrimit të tij, nuk ka të bëj me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe si e tillë është e pavërtetë dhe e papranueshme. Verifikimi i të dhënave dhe fakteve dhe saktësia e tyre, janë parakusht për gazetari objektive e të besueshme dhe të domosdoshme për ruajtjen e etikës së komunikimit publik.