Deklaratë e Avokatit të Popullit lidhur me sulmin në pronën e një familjeje egjiptase në Pejë
Prishtinë, më 13 gusht 2015 – Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, ka vizituar familjen egjiptase në Pejë, ndaj të cilës ishte shkaktuar zjarrvënia e qëllimtë brenda pronës private, me ç’rast është dëmtuar materiali ndërtimor, i cili iu kishte dhënë atyre për ndërtimin e shtëpisë.
Vetë veprimi vandal i bërë kundër pasurisë së kësaj familjeje është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e përgjithshme të të drejtave të njeriut. Shfrytëzimi dhe gëzimi paqësor i pronës së vet nga çdo person fizik ose juridik është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e vendit, sikurse edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kjo e drejtë është e pacenueshme dhe njësoj e vlefshme për secilin individ.
Akte të tilla, si ky ndaj familjes egjiptase në Pejë, nxisin frikën e komuniteteve joshumicë dhe paraqesin pengesë për integrim të qëndrueshëm. Shteti është i thirrur të identifikojë motivet e veprimeve të tilla, të cilat rrënojnë vlerat thelbësore mbi të cilat mbështetet dhe funksionon demokracia dhe të angazhohet për krijimin e kushteve të favorshme për jetë të përbashkët.
Avokati i Popullit vlerëson dhe shpreh mirënjohje për veprimin e shpejtë të Policisë së Kosovës në hetimin e këtij rasti dhe reagimin adekuat të autoriteteve komunale në Pejë për t’i dalë në ndihmë kësaj familjeje.
Gjithëpërfshirja dhe promovimi i tolerancës janë thelbësore për të ndërtuar kulturë dhe shprehi kundër çdolloj diskriminimi.
Avokati i Popullit bën thirrje për domosdoshmërinë e përkushtimit të shtuar nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal, si dhe për nevojën e projekteve konkrete për integrimin e komuniteteve pakicë. Parandalimi i veprimeve diskriminuese dhe dhunës ndaj komuniteteve joshumicë në vend, kërkon angazhimin e përbashkët institucional, shoqëror e medial, për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për të promovuar vlerat universale të funksionimit të shoqërisë demokratike.