Komunikatë për Media
Prishtinë, 12 gusht 2015 – Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me ligj, Avokati i Popullit ushtron kompetencat e tij edhe me anë të ndërmjetësimit dhe pajtimit. Duke e vlerësuar si alternativë, jo thjesht për zgjidhjen e rasteve, por edhe për ngritjen e përgjegjshmërisë institucionale, Avokati i Popullit ka vënë në përdorim këtë mundësi ligjore dhe ka ndërmjetësuar midis z. Fetah Rudi dhe kryetarit të Komunës së Malishevës, z. Ragip Begaj.
z. Fetah Rudi, i është drejtuar me ankesë Avokatit të Popullit lidhur me deklaratën publike të z. Ragip Begaj, i cili, në cilësinë e funksionit që kryen, duke aluduar në aftësitë e kufizuara në lëvizje të z. Rudi, është shprehur se: “Për shkak të problemeve shëndetësore Fetahu nuk mund ta ushtroj funksionin e nënkryetarit”. Kjo deklaratë, me të drejtë, është konsideruar diskriminuese nga z. Rudi.
Avokati i Popullit ka propozuar ndërmjetësimin si mekanizëm juridik për çështjen e ngritur, për të cilën janë pajtuar të dyja palët dhe pas takimit me përfaqësuesit e Avokatit të Popullit është arritur marrëveshja. Duke marrë parasysh gjithë rrethanat në të cilat ka ndodhur deklarimi, ashtu siç edhe respektin e ndërsjellë që z. Begaj dhe z. Rudi kanë shfaqur për njëri tjetrin, në takimet e ndara me ta, është realizuar një takim i përbashkët, me ç’ rast kryetari i Komunës së Malishevës ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar pas deklaratës së tij, të dhënë pa qëllim diskriminimi, për të cilën gjithashtu ka bërë edhe sqarim publik. Ai ka kërkuar falje për shqetësimin e krijuar me këtë rast, gjë që është vlerësuar dhe është mirëpritur nga z. Fetah Rudi, si formë e satisfaksionit moral.
Angazhimi i Avokatit të Popullit, në këtë rast, është bërë në pajtim me nenin 16, paragrafi 11, të Ligjit për Avokatin e Popullit dhe është përmbyllur me një aktpajtim formal juridik. Kjo formë e zgjidhjes së rasteve është alternativë që jep efekte pozitive në edukimin e përgjithshëm shoqëror dhe ndikon në ngritjen e përgjegjësisë institucionale dhe individuale, kundrejt trajtimit të barabartë dhe jo diskriminues, ashtu si edhe gjuhës së përdorur në deklarimet publike.