Featured Image

Një varg takimesh të z. Hilmi Jashari, pas zgjedhjes së tij Avokat i Popullit

13/07/2015

Prishtinë, 13 korrik 2015 – Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari ka mirëpritur sot, në një takim kurtuazie, Ambasadoren e shtetit zviceran në Kosovë, znj. Mrs. Krystyna Marty Lang, e cila shoqërohej nga bashkëpunëtorët  e saj.  Ambasadorja Marty Lang u shpreh e kënaqur që procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga Parlamenti i vendit rezultoi tashmë i suksesshëm dhe shprehu interesimin e saj për vizionin e Avokatit të ri të Popullit dhe sfidat që ai mund të ketë identifikuar përpara vetes në përmbushje të mandatit të dhënë. Avokati i Popullit e njoftoi Ambasadoren zvicerane mbi synimet dhe objektivat  e tij për të avancuar më tutje Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë dhe së këndejmi të drejtat dhe liritë e njeriut dhe promovimin e tyre në përgjithësi në vend.

Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, prej kur z. Hilmi Jashari ka pranuar detyrën e tij, ka takuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, znj. Arta Rama dhe ministrin e Ministrisë së Administratës Publike (MAP), z. Mahir Yagcilar, në një takim të përbashkët, ndërkaq në takime të ndara ka pritur zëvendësministrin e Ministrisë së Integrimeve, z. Ramadan Ilazi, z. Naim Osmani me bashkëpunëtorë nga Programi i Kosovës për të Drejta Civile ( CRPK), z. Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), znj. Feride Rushiti, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Në këto takime u shfaq gatishmëria e bashkëpunimit në funksion të përmirësimit të gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe rritjes së besimit të qytetarëve të vendit në sistemin e drejtësisë dhe institucionet e vendit.

z. Hilmi Jashari u zgjodh me shumicë votash Avokat i ri i Popullit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare të mbajtur më 2 korrik 2015, për mandatin e ardhshëm pesë vjeçar.