U bë pranimi i detyrës nga Avokati i ri i Popullit, z. Hilmi Jashari
Në Zyrën Qendrore të IAP-së, sot është bërë dorëzim – pranimi i detyrës nga Avokati i deritashëm i Popullit, z. Sami Kurteshi, tek z. Hilmi Jashari, i cili sapo është zgjedhur Avokat i ri i Popullit. Pas ceremonisë formale të organizuar në Zyrën Qendrore të IAP-së, z. Jashari dhe z. Kurteshi, ju drejtuan gazetarëve me deklaratat e tyre.
Në fjalën e tij, z. Sami Kurteshi deklaroi se është mirë që tashmë Kuvendi ka zgjedhur Avokatin e ri të Popullit dhe u shpreh i kënaqur që ai po lë një institucion me procedurë relativisht të sofistikuar të përpunimit të rasteve, që paraqesin thelbin e misionit të këtij institucioni dhe theksoi se Avokatin e ri e presin sfida të reja, e ndër të parat, që kërkon zgjdhje të shpejtë është çështja e sigurimit të një ndërtese për IAP-në, në përputhje me kërkesat për realizimin e misionit që ka, me qasje të lehtë për palët, në mënyrë të veçantë për personat me aftësi të kufizuara.
Ndërkaq, z. Hilmi Jashari tha se Avokati i Popullit konsiderohet kudo në botë si institucion kyç për zhvillimin e demokracisë së një vendi. Ndër të tjera ai përmendi edhe bazën e fuqishme juridike si përparësi në fuqizimin e rolit të këtij institucioni në vend dhe theksoi se në punën e tij do të ketë dy sfida kryesore: ngritjen e besimit të qytetarëve në Institucionin e Avokatit të Popullit dhe fuqizimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, të cilat janë të kuptueshme në një vend si i yni me demokraci e re. Ai veçoi se do të përqendrohet në avancimin hetimeve zyrtare që parashihen me Ligjin e ri të sapo miratuar të Avokatit të Popullit, si dhe në mundësi të tjera për raportimin e rasteve të veçanta.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare të mbajtur më 2 korrik 2015, ka zgjedhur me shumicë votash, z. Hilmi Jashari, Avokat të ri të Popullit.