NJOFTIM PËR PUBLIKIMIN E ANALIZËS SË DY VENDIMEVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE PËR RASTIN KO22/15
Prishtinë, 23 qershor 2015 – Sot, Avokati i Popullit ka publikuar në uebfaqen zyrtare një analizë të hollësishme të dy vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese për Rastin KO22/15, në të cilin Avokati i Popullit, për herë të dytë, kishte kërkuar shfuqizimin e Dekretit nr. DKGJK-001-2014 të Presidentes së Republikës së Kosovës, për konfirmimin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës(shih këtu).
Në Rastin KO22/15, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dy vendime: 1) Vendim për mospërjashtimin e kryetarit Enver Hasani nga pjesëmarrja në procedurën e rastit; 2 Aktvendim për papranueshmërinë e kërkesës së Avokatit të Popullit për shfuqizimin e Dekretit të Presidentes.
Analiza e IAP-së e bërë publike sot, paraqet një varg të gjatë mashtrimesh, mangësish profesionale, intelektuale dhe etike në dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, prej të cilave, në këtë njoftim, janë shkëputur ato më seriozet:
1. Gjatë gjithë Aktvendimit për papranueshmëri, është dëshmuar një tendencë shqetësuese e Gjykatës për të cituar autoritete që, jo vetëm nuk mbështesin pretendimet e Gjykatës por edhe i kundërshtojnë shprehimisht këto pretendime. Për shembull, Gjykata pretendon se kërkesa e Avokatit të Popullit “nuk hyn në fushëveprimin e [nenit 113, par. 2 të Kushtetutës] . . . (shih Rastin KO97/12, parashtrues i kërkesës: Avokati i Popullit, Aktgjykimi i 12 prillit 2013)”, sepse “parashtruesi i kërkesës dështon të pohojë ndonjë shkelje të dispozitave specifike kushtetuese lidhur me të drejtat dhe liritë themelore të tij, ose të ndonjë individi a grupi të individëve” (Aktvendimi, par. 29 dhe 31). Por, Aktgjykimi i vetë Gjykatës Kushtetuese në Rastin KO97/12, të cilin e citon Gjykata, konstaton pikërisht të kundërtën: “Gjykata konsideron se gjuha e nenit 113.2 të Kushtetutës është e qartë dhe pa ekuivoke, se autorizimi i Avokatit të Popullit për të iniciuar kërkesa në Gjykatë Kushtetuese nuk është i kufizuar sipas Kapitullit II të Kushtetutës [Të Drejtat dhe Liritë Themelore]” (Rasti KO97/12, Aktgjykimi, par. 110, theks i shtuar). Këtu shtrohet vetëm një pyetje logjike: A nuk e ka lexuar Gjykata Aktgjykimin e vet në Rastin KO97/12 para se ta citonte, apo thjesht ka menduar se lexuesit e saj nuk do ta kontrollonin vetë këtë citim?
2. Bashkë me kërkesën kryesore për shfuqizimin e Dekretit të Presidentes për vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Rastin KO22/15, Avokati i Popullit ka dërguar tek Gjykata Kushtetuese një kërkesë tjetër, për përjashtimin e kryetarit të Gjykatës, z. Enver Hasani, nga pjesëmarrja në procedurën e rastit. Kërkesa e Avokatit të Popullit është arsyetuar, madje është arsyetuar me hollësi.
Megjithatë, Gjykata ka vendosur t’i mbyllë sytë plotësisht, duke u shtirë sikur Avokati i Popullit nuk kishte paraqitur asnjë argument ose dëshmi të vetme: “Gjykata vlerëson se kërkesa e parashtruesit është e paarsyetuar, irelevante dhe e paargumentuar. . . . Prandaj, Gjykata e refuzon kërkesën e parashtruesit” (Rasti Nr. KO22/15, Vendim, 17 prill 2015, Kërkesë për përjashtim të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës). Fatkeqësisht për Gjykatën, kërkesa e arsyetuar dhe e argumentuar e Avokatit të Popullit, e publikuar në uebfaqen e Institucionit të Avokatit të Popullit që nga data kur është dorëzuar (shih këtu) dhe, rrjedhimisht, nuk mund të fshihet fakti që, kur Gjykata pretendon se kërkesa e Avokatit të Popullit ka qenë e paarsyetuar dhe e paargumentuar, Gjykata po gënjen haptas.
3. Gjykata po mban gjallë traditën e saj të fshehjes së dokumenteve zyrtare. Në paragrafin 7 të Vendimit për mospërjashtimin e kryetarit Hasani, pretendohet se: “Më 17 prill 2015, Gjykata mori një deklaratë nga Kryetari i Gjykatës në pajtim me rregullin 7.4 të Rregullores së punës”. Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 132, par. 3 (“Çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj”), Avokati i Popullit ka kërkuar qasje në deklaratën e kryetarit Hasani. Mirëpo, Gjykata ka refuzuar këtë kërkesë, duke e cilësuar deklaratën e tij si “konfidenciale”.
Gjykata Kushtetuese, po ashtu duke u thirrur në “konfidencialitet” ka refuzuar t’i dorëzojë Avokatit të Popullit kërkesën e gjyqtarit Carolan për vetëpërjashtim nga procedura e Rastit KO97/12. Refuzimi i Gjykatës Kushtetuese për të bërë publike deklaratën e kryetarit Hasani, tregon përsëri se Gjykata është e gatshme edhe për të fshehur dëshmi zyrtare për t’u shërbyer interesave të veta. Fshehja e dëshmive gjatë procedurës zyrtare, duke përfshirë hetimet në procedurë pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, është vepër e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, neni 394 (“Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”).
4. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese ka bërë shkelje kushtetuese dhe ligjore, duke bërë përpjekje për kufizimin e kompetencave të Avokatit të Popullit për të ngritur çështje në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 113, paragrafi 2, të Kushtetutës, i cili përcakton qartë se: “Avokati i Popullit [është] i autorizuar të ngre … çështjen e përputhshmërisë …të dekreteve të Presidentit… me Kushtetutën”.