FJALA E AVOKATIT TË POPULLIT NË SEANCËN PLENARE TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR RAPORTIN VJETOR 2014 TË IAP-së
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit, faleminderit për fjalën e dhënë
Të nderuara zonja dhe zotërinj deputetë të Kuvendit,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë,
Bazuar në nenin 135, paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 27, paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit për Avokatin e Popullit, Ju paraqes Raportin e katërmbëdhjetë vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës.
Raportimi vjetor i Avokatit të Popullit ofron një mundësi të mirë, për të gjitha institucionet shtetërore, për t’u kujtuar se “Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet” dhe “ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj” (Kushtetuta, neni 1, paragrafi 2). Kjo normë kushtetuese rikujton se, respektimi i të drejtave të njeriut nuk është thjesht një qëllim mes të tjerash, por se respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, sipas Kushtetutës, përbën themelin e shtetit tonë.
Ky raport, jep një pasqyrë të të gjithë punës së Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) gjatë vitit 2014 dhe ofron dëshmi të hollësishme për gjendjen e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës gjatë këtij viti.
Pak statistikë sa për krijimin e një pasqyre kuantitative. Nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2014, nga mbi 3000 njerëz të ndryshëm janë parashtruar 2224 ankesa dhe kërkesa për këshillë apo ndihmë juridike, nga qytetarët e Kosovës dhe janë nxjerrë 141 rekomandime të ndryshme për institucione të ndryshme në Republikën e Kosovës, duke shënuar një rritje rreth 10 për qind nga viti 2013, përgjatë të cilit janë trajtuar 2047 raste dhe ka pasur 127 rekomandime të pashqyrtuara nga ana e autoriteteve publike. Një trend i përafërt i rritjes së numrit të ankesave të paraqitura në IAP, vazhdon edhe në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2015.
Megjithëse rreth 75% e rasteve, apo 1637 ankesa të paraqitura tek Institucioni janë shpallur si të papranueshme, Avokati i Popullit dhe stafi i tij janë të ndërgjegjshëm se individët që vijnë në dyert e Institucionit, qofshin edhe me ankesa të bazuara apo të pabazuara, shpeshherë e shohin Avokatin e Popullit si mundësinë e fundit për të zgjidhur problemet e tyre, por edhe si instancën e fundit për të paraqitur pakënaqësitë e tyre për mospunën e institucioneve shtetërore. Mirëpo, edhe në rastet në të cilat Institucionit i mungon kompetenca për të vepruar, madje sidomos në këto raste, Avokati i Popullit i dëgjon të gjithë ata që ndjejnë nevojën për t’u shprehur dhe për t’u dëgjuar për problemet e tyre, pa asnjë dallim. Çdokush pritet, dëgjohet me kujdes dhe ndihmohet aty ku është e mundur, apo këshillohet aty ku është e nevojshme. Çdo njeri në territorin e Republikës së Kosovës është prioritet i Avokatit të Popullit.
Ky Raport ndahet në katër kapituj. Kapitulli i parë paraqet një prezantim të kompetencave, përgjegjësive dhe mandatit të IAP-së. Gjithashtu, Kapitulli i parë përsërit një rekomandim që Kushtetuta të amendamentohet për të përfshirë tri instrumente ndërkombëtare në listën e instrumenteve ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës: Konventa për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore e OKB-së, Karta Sociale Evropiane dhe Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Rekomandimi për dy instrumentet e para, i përsëritur disa vite me radhë nga Avokati i Popullit, deri tani është shpërfillur plotësisht nga autoritetet kompetente për amendamentimin e Kushtetutës.
Kapitulli II ofron një përmbledhje të hollësishme të punës së Avokatit të Popullit lidhur me të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara në Kushtetutë. Kapitulli ndahet në tri pjesë. Pjesa e parë përfshin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut sipas radhitjes në Kapitullin e dytë të Kushtetutës. Pjesa e dytë trajton temën e diskriminimit si formë të veçantë të shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Ndërsa pjesa e tretë trajton tërë problematikën e gjyqësorit në mënyrë të hollësishme.
Pas raportimit të hollësishëm të secilës të drejtë, Kapitulli i tretë i këtij Raporti jep disa informacione lidhur me veprimtaritë e zhvilluara nga sektorët e ndryshëm të IAP-së, duke përfshirë bashkëpunimin e tij me institucione vendore dhe ndërkombëtare.
Kapitulli katërt e përfundon raportin me një përmbledhje statistikore të ankesave të pranuara në IAP gjatë vitit 2014.
Siç dëshmohet qartë në këtë Raport, si në aspektin narrativ ashtu dhe në atë statistikor, në Republikën e Kosovës dështimet e njëpasnjëshme të institucioneve shtetërore për përmbushjen e obligimeve të tyre lidhur me të drejtat e njeriut, janë si qindra pllakëza të vogla, të cilat kur bashkohen formojnë një mozaik të pafund të mospërfilljes dhe papërgjegjshmërisë institucionale. Qëllimi kryesor i këtij Raporti është për të nxjerrë përpara publikut, pa asnjë rezervim a zbutje artificiale, gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kjo gjendje që, ndonëse nuk mund të dallohet duke analizuar secilin dështim të izoluar prej të tjerave, bëhet e qartë vetëm duke i shikuar të gjitha dështimet bashkë, madje edhe më keq, duke vërejtur modele të përsëritura të shkeljeve të ndryshme të kryera nga një varg institucionesh shtetërore, lidhur me një rang të gjerë të drejtash dhe lirish të njeriut.
Në fushën legjislative, ky Raport jep shembuj të dështimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe për të shqyrtuar rekomandimet e Avokatit të Popullit për miratimin e ligjeve të reja, ose për ndryshimin e ligjeve aktuale, që ndikojnë në të drejtat dhe liritë e njeriut.
Kjo bëhet edhe më shqetësuese nëse e vërejmë faktin se vitin e kaluar, Raporti Vjetor i Avokatit të Popullit nuk është diskutuar fare në seancë plenare.
Një dështim tjetër përbën edhe zvarritja e zgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit, që nga qershori i vitit 2014. Natyrisht, pozitivisht duhet theksuar dhe një falënderim publik e meriton angazhimi i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në dy vitet e fundit për bashkëpunim me IAP. Një nismë të mirë tanimë ka bërë edhe Komisioni Parlamentar për legjislacion.
Po ashtu, nuk mund të lihet i papërmendur fakti se gjithë këto dështime ndërlidhen ngushtë me krizën politike në vend pas zgjedhjeve të qershorit 2014 për të konstituuar legjislaturën e re të Kuvendit. Ky raport tregon se ngërçi politik gjashtëmujor nuk ka qenë vetëm një farsë por ka qenë një goditje e rëndë edhe për të drejtat dhe liritë e njeriut, duke lënë të pashqyrtuara një sërë reformash legjislative të propozuara dhe rekomandimesh të bëra nga Avokati i Popullit, në disa raste të përsëritura vite me radhë. Pas një viti të tillë, Avokati i Popullit pret që reformat e propozuara dhe rekomandimet e bëra, të cilat shtjellohen sipas temave të ndryshme në këtë Raport, të shqyrtohen dhe të zbatohen pa vonesë nga legjislatura e re e Kuvendit.
Dukshëm më i rëndë në vitin 2014 ka qenë dështimi i ekzekutivit, si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në nivelin komunal. Të dhënat e këtij raporti dëshmojnë se, në vitin 2014, si në vitet e mëparshme, refuzimi ose dështimi i plotë për t’u përgjigjur në kërkesat dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit, vazhdon të jetë sëmundje kronike e përhapur midis autoriteteve më të larta të shtetit, duke përfshirë Presidenten, ish-Kryeministrin, Kryeministrin aktual dhe ministra të ndryshëm të qeverisë së vjetër dhe të re, përfshirë ministrin aktual të Arsimit dhe ministrin aktual të Punës dhe Mirëqenies Sociale. Këtyre dy ministrave, si dhe kryeministrit Mustafa, Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dhënë disa herë mundësinë për t’u përgjigjur në raportet e dërguara, bashkë me rekomandimet e dhëna. Deri tani, të dy ministrat i kanë shpërfillur plotësisht këto raporte me rekomandime. Megjithatë, po shpresoj se kryeministri Mustafa dhe ministrat Bajrami dhe Abrashi do të përfitojnë nga kjo seancë plenare për t’iu përgjigjur këtyre raporteve me rekomandime, para gjithë publikut, si dhe për t’u përgjigjur për dështimin e tyre për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit.
Duhet theksuar këtu se bashkëpunimi me Avokatin e Popullit nuk është çështje e vullnetit të lirë, por është detyrim ligjor. Dështimi ose refuzimi për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila përcakton qartë se: “Çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj” (neni 132, pika 3). Ndërsa, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, dështimi ose refuzimi për t’u përgjigjur “konsiderohet pengim i punës” së tij. Në bazë të këtij standardi, pengimi i hetimeve të Avokatit të Popullit nga autoritetet më të larta ekzekutive në Republikën e Kosovës është jashtëzakonisht shqetësues dhe i pashpjegueshëm për një shoqëri demokratike.
Premtimi shpresëdhënës dhe i ligjshëm në fjalimin inaugurues i z. Mustafa, si i nominuar për postin e kryeministrit, se: “Qeveria do t’i vendosë të drejtat e njeriut lart në axhendën e saj politike” dhe “do të sigurojë që rekomandimet e Ombudspersonit të adresohen në mënyrë adekuate”, mbetet të shihet se sa do të zbatohet në praktikë. Përvoja disamuajshe nuk ka shuar por ka nëpërkëmbur ndjeshëm këto shpresa. Në këtë fushë, kryeministri Mustafa dhe Qeveria e Republikës së Kosovës vlerësohen me notë jokaluese — të paktën deri tani. Megjithatë, Avokati i Popullit ligjërisht pret bashkëpunim më të frytshëm në të ardhmen, si nga Presidentja, ashtu edhe nga Kryeministrit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas detyrimit të tyre kushtetues dhe ligjor.
Gjendja e gjyqësorit sa i përket të drejtave të njeriut, fatkeqësisht vazhdon të jetë jashtëzakonisht shqetësuese dhe me shpresa të pakta për përmirësim në një të ardhme të afërt. Në gjendjen e tanishme, gjyqësori është duke u shndërruar nga mbrojtës në shkelës të të drejtave dhe lirive të njeriut, duke rezultuar në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë për sundimin e ligjit.
Probleme të shumta që kanë pllakosur gjyqësorin e Republikës së Kosovës përfshijnë mosfunksionimin e pushtetit gjyqësor në tërë territorin e vendit; zvarritjen në vendosjen e lëndëve civile dhe penale; numrin në rritje të lëndëve të pazgjidhura nga vitet paraprake; shkallën e ulët të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore; parashkrimin e lëndëve gjyqësore; vendime dhe procese gjyqësore ndaj gjyqtarëve për korrupsion; moszbatimin në praktikë të normave të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe mos interpretimin e vendimeve gjyqësore sipas vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pavarësisht nga këto dështime të gjyqësorit, të dëshmuara edhe në vitet e mëparshme, në vitin 2014 kemi parë edhe një dështim të jashtëzakonshëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Aktvendimet e Gjykatës në raste të caktuara, përveç që nuk përmbushin as standardet minimale intelektuale, juridike dhe profesionale, ka dëshmi objektive për falsifikim të dokumentit zyrtar, si dhe për fshehje të dokumenteve dhe dëshmive zyrtare. Në këtë periudhë tranzicionale për Gjykatën, kur po zëvendësohet kryetari i vjetër me një kryetare të re, që të dy gjenden nën hetim penal nga Prokuroria Speciale, dhe, në vend që të jenë transparent me të gjitha faktet para publikut, që të dy po mundohen t’u shmangen të gjitha pyetjeve legjitime për veprimet e tyre, duke u fshehur prapa imunitetit. Këto janë zhvillime shqetësuese, si për shoqërinë, ashtu edhe për vetë Gjykatën, e cila “është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës” (neni 112, par. 1).
Të gjitha këto mangësi objektive e subjektive, të gjyqësorit dhe të gjykatësve, kanë bërë që njerëzit të humbin plotësisht besimin në drejtësinë institucionale – gjyqësorin, dhe jo vetëm po përcillen, por po thellohen nga viti në vit. Avokati i Popullit më shumë se një herë ka tërhequr vërejtjen e institucioneve publike përgjegjëse, madje edhe nga kjo foltore, për këtë dukuri të rrezikshme. Pikërisht kjo humbje e besimit në shumë raste ka bërë që njerëzit të marrin drejtësinë në duart e veta duke i zgjidhur kontestet e tyre jashtë sistemit gjyqësor, shpeshherë në mënyrë tragjike. Në këtë mënyrë, kemi edhe raste të kalimit nga kontestet civile në ato penale. Për këto raste kemi paraqitur dëshmi konkrete në këtë raport.
Besimi ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, që përfshin të gjitha format e mundshme të komunikimit, bazohet vetëm në respektimin e normave të kodifikuara shoqërore – të ligjeve. Ky besim është në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me integritetin e zyrtarëve të shtetit – autoriteteve publike. Besimi ka të bëjë me respektimin e ligjeve dhe krijimin e mekanizmave të brendshëm veprues efektiv të autoriteteve publike për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve.
Kur vjen fjala për administratën shtetërore, shkelja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, shkelja e parimeve themelore të një administrate publike moderne si mosdiskriminimi dhe proporcionaliteti, përveç shkeljeve ligjore përbëjnë edhe shkelje të rënda të veprimit etik. Shkelja e ligjit nga vetë autoritetet publike dhe sidomos veprimi joetik, qoftë edhe në një rast të vetëm individual, kur mbetet i pasanksionuar, shlyen tërësisht çfarëdo besimi në shtetin dhe përbëjnë dëshminë kyçe të keqadministrimit dhe dështimin e një sistemi të administratës.
Një administratë publike me kulturë demokratike në një shtet të së drejtës, nuk guxon të vuajë as nga aktivizmi juridik i politikës dhe as nga aktivizmi politik i gjyqësorit. Këto skajshmëri veprimi ofenziv të pushteteve të ndara domosdo duhet të shkrihen në një kulturë demokratike të ndërveprimit ligjor ndërinstitucional, ku kufiri i ndarjes është normë e legjitimuar në mënyrë demokratike që duhet respektuar pa përjashtim.
Vetëm një shkrirje e tillë, ku shqyrtimi gjyqësor bëhet pjesë e veprimit administrativ si proces publik, garanton rolin plotësues apo komplementar të gjyqësorit dhe administratës në një shoqëri demokratike si drejtësi e normuar, shoqërisht të pranueshme dhe institucionalisht të zbatueshme. Vetëm në shoqëritë e tilla ku shqyrtimi gjyqësor i veprimeve të administratës publike nuk kuptohet si përzierje në procedurën administrative, por si pjesë e pandashme e saj, mund të flasim për siguri ligjore, për respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut në procesin administrativ.
Për të arritur këtë, kërkohet jo vetëm ndërtimi i një kulture politike i mosndërhyrjes dhe e ndikimit të çfarëdo forme në gjyqësor dhe tek gjykatësit si individë, por edhe një politikë kulturore e të kuptuarit se ndarja gjyqësore e drejtësisë nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e veprimit administrativ shtetëror. Ky është obligim që kërkohet nga ne sot, nesër dhe në të ardhmen edhe nga Evropa, pjesë e së cilës ne pretendojmë të jemi. Kjo është edhe kërkesë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nëse duam të jemi pjesë e drejtësisë institucionale të Evropës.
Në Raportin Vjetor të vitit 2013, të cilin nuk e ka shqyrtuar Kuvendi, Avokati i Popullit ka theksuar se:
Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe qeverisja e mirë janë obligim i autoriteteve publike. Prandaj, Avokati i Popullit fton të gjithë personat përgjegjës në institucionet publike që të mos injorojnë ankesat e qytetarëve. Po ashtu, fton autoritetet publike që rekomandimet e Avokatit të Popullit t’i marrin seriozisht dhe t’i trajtojnë si kontribut konstruktiv, sepse paraqesin një mundësi të mirë për të mësuar nga gabimet dhe lëshimet dhe rrjedhimisht për përmirësimin e administratës shtetërore në përgjithësi.
Fatkeqësisht, siç tregohet në këtë Raport, një pjesë e madhe e institucioneve publike, sidomos autoritetet më të larta të shtetit, nuk e kanë pranuar këtë ftesë.
Megjithatë, Avokati i Popullit përzemërsisht i falënderon të gjithë ata zyrtarë, që në vitin 2014 janë treguar të përgjegjshëm dhe të gatshëm për të bashkëpunuar me IAP-në, në përputhje me obligimet e tyre ligjore dhe kushtetuese. Institucioni i Avokatit të Popullit mirëpret bashkëpunim të vazhdueshëm me këta zyrtarë, si dhe fton të gjithë zyrtarët e tjerë, sidomos ata në krye të shtetit, që të ndjekin shembujt e mirë në këtë drejtim, në mënyrë që të hapim rrugë për avancim sa më të shpejtë, dhe të qëndrueshëm, të të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës.
Ju falemnderit për vëmendjen tuaj dhe Ju shpreh gatishmërinë time për t’u përgjigjur në pyetjet tuaja eventuale.