Featured Image

DEKLARATË NGA KONFERENCA PËR MEDIA E AVOKATIT TË POPULLIT LIDHUR ME VENDIMIN KUNDËRLIGJOR TË QEVERISË, I CILI SHKEL TË DREJTAT E FAMILJEVE TË VIKTIMAVE CIVILE TË LUFTËS

15/04/2015

Avokati i Popullit, gjatë viteve 2013, 2014 dhe në fillim të vitit 2015, ka pranuar ankesa individuale nga persona të cilët pretendojnë se janë familjarë të viktimave civile të luftës. Ankesat kanë të bëjnë me mospranimin e kërkesave për njohje të statusit të familjeve të viktimave civile nga Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile (DFDIL) i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Lidhur me këtë, Avokati i Popullit ka hapur hetime dhe gjatë hetimeve ka hasur në një dokument të MPMS-së, me numër 171, të datës  9 qershor 2011, të nënshkruar nga ministri i atëhershëm z. Nenad Rashiq dhe sekretari i ministrisë në fjalë z. Eshref Shabani. Ky dokument nuk ishte bërë publik asnjëherë, përkundër faktit se ka shërbyer si bazë për mospranimin e kërkesave për njohjen e statusit dhe realizimin e të drejtave të kategorive të përcaktuara me Ligjin për Vlerat e Luftës.

Me anë të këtij dokumenti, ish-ministri z. Nenad Rashiq, kishte rekomanduar, pa asnjë bazë ligjore, që DFDIL të përmbyllte numrin e aplikuesve për pensione dhe beneficione deri me datë 31 maj 2011, si dhe të mos pranonte asnjë kërkesë për njohje të asnjë të drejte.

Praktikisht, me anë të këtij dokumenti, ish-ministri Rashiq ka ndaluar zbatimin e Ligjit për Vlerat e Luftës, fillimisht për të gjitha kategoritë e dala nga lufta, ndërkaq aktualisht ndalesa është në fuqi vetëm për familjaret e viktimave civile, në bazë të një vendimi tjetër (Vendimit nr.10), i datës 21 janar 2013, i nxjerrë, po ashtu, nga ministri Rashiq.

Avokati i Popullit, më 14 korrik 2014 ka nxjerrë një raport me të cilin ka identifikuar shkeljet, si dhe ka rekomanduar që:
1.    Ministri i MPMS-së të ndërmerr masa të menjëhershme për shfuqizimin dhe anulimin e vendimit Nr. 171, të datës 9 qershor 2011.
2.    Të nxirret një vendim i ri nga ministri i MPMS-së, me të cilin do të riparoheshin dëmet e shkaktuara nga pasojat juridike të Vendimit Nr. 171, të datës 9 qershor 2011, në mënyrë që njohja e statusit dhe realizimi i të drejtave të zbatohet nga data 31 maj 2011.
3.     Që rekomandimi t’u përcillet të gjitha njësive në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të MPMS-së, për zbatimin e ligjeve në fuqi dhe mundësimin e realizimit të së drejtës së garantuar me Kushtetutë dhe ligj të të gjithë qytetarëve, si dhe mundësimin e shfrytëzimit të mjeteve juridike efektive, pa asnjë dallim.

Këto rekomandime të Avokatit të Popullit janë shpërfillur nga ana e ish-ministrit Rashiq.
Më 16 janar 2015, Avokati i Popullit i ka përcjellë ministrit të ri të MPMS-së, z. Arban Abrashit rekomandimet e mësipërme, por edhe ai, gjithashtu i ka shpërfillur rekomandimet e Avokatit të Popullit.
Më 23 shkurt 2015, Avokati i Popullit ka lëshuar një deklaratë për media, lidhur me shkeljen e të drejtave të familjeve të viktimave civile të luftës nga ana e MPMS-së dhe me këtë rast ka publikuar në uebfaqen e Institucionit të Avokatit të Popullit Raportin me Rekomandime dhe Vendimin Nr.171, të datës 9 qershor 2011.

Avokati i Popullit për rastin ka njoftuar Qeverinë e Republikës së Kosovës (të kaluarën dhe të tashmen), ashtu si edhe kryesinë e Kuvendit, në legjislaturën paraprake dhe në legjislaturën e tanishme.

Avokati i Popullit konsideron se e gjithë kjo papërgjegjësi dhe refuzim për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit nga MPMS, përkatësisht ish-ministri z. Nenad Rashiq dhe ministri aktual z. Arban Abrashi, përbëjnë shkelje ligjore dhe kushtetuese dhe dëshmojnë për një papërgjegjësi institucionale.