REAGIM

27/02/2015

27 shkurt 2015 – Në shkrimin e postuar sot në portalin e gazetës Express ( e premte, 27 Shkurt 2015, ora 15:44), nën titullin “ Ekskluzive | OJQ’ja kosovare që punon për Iranin dhe rekruton kundër Amerikës” gazetari Visar Duriqi, mes të tjerash i referohet Avokatit të Popullit me këtë paragraf: “Së fundi, edhe Avokati i popullit i ka dhënë përkrahje nismës së shiitëve për të u darë edhe zyrtarisht nga BIK’u kur të ri-draftohet Ligji për Liritë fetare dhe kur të bëhen ligje të reja në fushën e menaxhimit të aktiviteteve fetare nga shteti.”

Ju bëjmë me dije se, Avokati i Popullit, në asnjë deklarim të tij, ashtu siç në asnjë dokument të tij, nuk ka thënë, shkruar apo pohuar diçka të tillë. Së këndejmi ajo që thuhet nga gazetari Duriqi në këtë shkrim për Avokatin e Popullit është e pavërtetë.

Shteti i Kosovës, i përcaktuar me Kushtetutë si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare, ka të garantuar lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë, me nenin 38 të Kushtetutës. Nga ky nen kushtetues buron ligji për lirinë fetare, i cili aktualisht po kalon nëpër një proces të plotësim ndryshimit. Avokati i Popullit konsideron se është thelbësore që autoritetet të sigurojnë që grupet e organizuara religjioze e që përbëjnë trashëgimi historike, kulturore dhe shoqërore, të përfshihen pa ndonjë diskriminim në ligj. Deklarimet e Avokatit të Popullit janë konsistente në këtë drejtim, prandaj përpjekjet për të tjetërsuar apo ndryshuar qëndrimet e tij konsiderohen tendencioze dhe qëllimkëqija.

Avokati i Popullit, edhe me këtë rast, kërkon nga të gjitha institucionet dhe autoritetet publike të Republikës së Kosovës respektimin e plotë të të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara me Kushtetutë, ligje dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut pa kurrfarë diskriminimi.