DEKLARATË E AVOKATIT TË POPULLIT LIDHUR ME SHKELJEN E TË DREJTAVE TË FAMILJEVE TË VIKTIMAVE CIVILE TË LUFTËS, ME VENDIM KUNDËRLIGJOR NGA ANA E QEVERISË
23 shkurt 2015 – Në vitin 2014, Avokati i Popullit ka hapur hetime lidhur me një numër ankesash të paraqitura në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP), që kanë të bëjnë me njohjen dhe realizimin e të drejtave ligjore të viktimave civile të luftës. Ankuesit kishin shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mospranimin e kërkesave për njohje të statusit të viktimave civile nga Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile ( DFDIL) i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ( MPMS).
Gjatë hetimeve, Avokati i Popullit ka hasur në një dokument të MPMS-së, me numër 171, të datës 9 qershor 2011, të nënshkruar nga ministri i atëhershëm z. Nenad Rashiq dhe sekretari i atëhershëm i ministrisë në fjalë. Ky dokument nuk ishte bërë publik asnjëherë, përkundër faktit se ka shërbyer si bazë për mospranimin e kërkesave për njohjen e statusit dhe realizimin e të drejtave të kategorive të përcaktuara me Ligjin për Vlerat e Luftës.
Me anë të këtij dokumenti, ish-ministri z.Nenad Rashiq, kishte rekomanduar, pa asnjë bazë ligjore, që DFDIL të përmbyllte numrin e aplikuesve për pensione dhe beneficione deri me datë 31 maj 2011, si dhe të mos pranonte asnjë kërkesë për njohje të asnjë të drejte.
Dokumenti i lëshuar nga ministri i atëhershëm i MPMS-së, edhe pse nuk quhet vendim, është trajtuar dhe zbatuar si vendim dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të ketë fuqinë e vendimit. Fillimisht ky dokument është zbatuar për të gjitha kategoritë, ndërkaq më vonë, më 21 janar 2013, ky vendim është shfuqizuar , duke lënë në fuqi vetëm ndalesën për viktimat civile të luftës.
Kërkesat nga ana e Avokatit të Popullit për shfuqizimin dhe anulimin e vendimit numër 171, janë shpërfillur nga ana e ish-ministrit Rashiq. Të njëjtat kërkesa i janë drejtuar dhe ministrit të ri të MPMS-së, z. Arban Abrashit, i cili po ashtu i ka shpërfillur plotësisht kërkesat nga ana e Avokatit të Popullit. Refuzimi i tillë nga ana e ministrave Rashiq dhe Abrashi, për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit, përbën shkelje ligjore dhe kushtetuese.
Duke pasur parasysh gjetjet që dëshmojnë shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe refuzimin e Qeverisë për të bashkëpunuar, Avokati i Popullit ka vendosur të publikojë raportin e tij të plotë (klikoni këtu për raportin), i cili i është dërguar ish-ministrit Rashiq në korrik 2014 dhe i është ridërguar ministrit të ri të MPMS, z. Abrashi, më 16 janar të vitit 2015.