DEKLARATË E AVOKATIT TË POPULLIT LIDHUR ME REGJISTRIMIN E FËMIJËVE TË KATEGORIVE TË DALA NGA LUFTA E UÇK- së NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

03/12/2014

PRISHTINË, 3 dhjetor 2014 – Avokati i Popullit ka hapur hetime në lidhje me ndikimet në të drejtat e njeriut të parapara me Kushtetutë dhe ligje në fushën e arsimit universitar të Vendimit nr. 178/01B të ministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, të datës 13 nëntor 2014, Për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga Lufta e UçK-së në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në vitin akademik 2014/2015.

Në këtë vendim, ministri Buja kërkon nga rektori i Universitetit të Prishtinës që: “Të regjistrohen fëmijët e kategorive të dala nga Lufta e UçK-së [. . .] të cilët i janë nënshtruar provimeve pranuese sipas afateve zyrtare të shpallura nëpërmjet konkurseve për vitin akademik 2014/2015”.

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për rritjen e tensioneve kohëve të fundit rreth Universitetit të Prishtinës. Me qëllim që të qetësohet situata, Avokati i Popullit, bazuar në Ligjin për Avokatin e Popullit, sot i ka kërkuar zyrtarisht ministrit Buja [shih kërkesën] dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi [shih kërkesën], që të pezullojnë zbatimin e vendimit, deri në përfundimin e hetimeve të Avokatit të Popullit. Ky rekomandim nuk paragjykon, në asnjë mënyrë, meritat e çështjes ose rezultatet e hetimeve. Të dyja kërkesat janë të bashkëngjitura me këtë deklaratë.

Njëkohësisht, Avokati i Popullit thekson se çdo ndërhyrje e jashtligjshme në zhvillimin e rregullt të procesit mësimor, konsiderohet totalisht e papranueshme. Lidhur me këtë çështje, më 27 nëntor 2014 Kryeministri Thaçi ka deklaruar se :

““Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” duhet të jetë epiqendër e dijës dhe mësimit. Studimet në të duhen vijuar nga të gjithë ata që meritojnë me punë dhe dedikim punës akademike. Kosova kurrë nuk do të harron sakrificën e veteranëve të UÇK-së . . . . Megjithatë, përkrahim UP “Hasan Prishtina” dhe udhëheqësinë e universitetit në zbatim të përpiktë të marrëveshjeve dhe standardeve të pranimit të studentëve. Afatet kohore për regjistrim dhe mësim, kushtet e marrëveshjes paraprake dhe e drejta ligjore e vlefshme vetëm për ata që me të vërtetë kanë nevojë dhe meritë duhen rrespektuar. Zgjidhjet duhen gjetur konform marrëveshjeve dhe afateve ligjore e jo në rrugë.[1]

Avokati i Popullit e përshëndet deklaratën e Kryeministrit Thaçi për Universitetin e Prishtinës, si dhe mirënjohjen që ka shprehur për sakrificat jo vetëm të veteranëve, por edhe të dëshmorëve, të invalidëve dhe të të zhdukurve nga lufta e UÇK-së.

Avokati i Popullit konsideron se, mënyra më efikase që Kryeministri Thaçi dhe Ministri Buja kanë në dispozicion për të konkretizuar përkrahjen e tyre për Universitetin e Prishtinës, si epiqendër e dijës dhe mësimit”, është që të ushtrojnë kompetencën ligjore për pezullimin e ekzekutimit të vendimit në fjalë, deri në përfundimin e hetimeve të plota që po zhvillohen nga Avokati i Popullit.


[1]Uebfaqja “Hashim Thaçi”, https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial, postim i datës 27 nëntor 2014.