DEKLARATË lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese

20/11/2014

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, më 13 nëntor ka pranuar nga Gjykata Kushtetuese Aktvendimin për papranueshmëri të kërkesës lidhur me Dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës nr. DKGJK – 001 – 2014, të datës 31 gusht 2014, për konfirmimin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimin kushtetues, Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese e konsideron si fjalën e fundit në aspektin e hierarkisë ligjore. Por, ky Aktvendim nuk është dhe nuk duhet të jetë fjala e fundit e debatit publik.

Avokati i Popullit ka analizuar me vëmendje këtë Aktvendim të sjellë nga Gjykata Kushteuese, me po të njëjtën vëmendje siç është hartuar edhe kërkesa lidhur me rastin në fjalë. Analiza e hollësishme (analizën e gjeni KETU) vë në pah mangësitë juridike dhe një mungesë pothuajse të plotë të arsyetimit në këtë Aktvendim.

Në aspektin substancial, shembulli më i dukshëm i mungesës së arsyetimit shfaqet në pretendimin e Gjykatës në Aktvendim se Dekreti i Presidentes është në linjë me atë që kërkohet në përmbajtjen e marrëveshjes ndërkombëtare (shih Aktvendimin, paragafi 41). Ky pretendim i Gjykatës nuk shoqërohet me asnjë argument, me asnjë citim të dispozitave specifike të marrëveshjes, në të cilën pretendon të bazohet, si dhe nuk i përgjigjet asnjërit prej argumenteve të parashtruara nga Avokati i Popullit mbi këtë pikë.

Çështja drejtuar Gjykatës Kushtetuese përmes kërkesës së parashtruar nga Avokati i Popullit, konsiston pikërisht në pyetjen nëse devijimi i Dekretit të Presidentes nga dispozitat relevante kushtetuese është në të vërtetë në linjë me atë që kërkohet në përmbajtjen e marrëveshjes ndërkombëtare. Këtë pikë, Avokati i Popullit e ka kontestuar me një arsyetim të gjatë dhe të hollësishëm juridik në kërkesën e tij.[1] Fakti që Gjykata ka vendosur të trajtojë pyetjen kryesore të një rasti me vetëm një paragraf të shkurtër, pa arsyetim, pa citim, dhe pa iu përgjigjur asnjë argumenti të parashtruesit mbi këtë pyetje, tregon një varfëri shqetësuese të shtjellimit juridik, si dhe një shpërfillje të standardeve të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm.

Në kuadër të obligimit juridik, intelektual dhe institucional për arsyetimin e vendimeve, edhe Gjykata Kushtetuese është e lidhur me standarde të verifikueshme. Ky obligim i Gjykatës korrespondon me të drejtën e parashtruesit të kërkesës për t’u shprehur në lidhje me çështjen. Avokati i Popullit, si parashtrues në këtë proces, ka të drejtën subjektive që t’i kërkojë Gjykatës, jo vetëm të marrë vendim të arsyetuar, por dhe që në arsyetimin e vendimit t’i përmbahet tekstit normativ të legjitimuar në mënyrë demokratike. Përballë një Aktvendimi të tillë, Avokati i Popullit jo vetëm ka të drejtë, por e ka edhe për detyrë, të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të hapë debat publik për performancën e dobët juridike të gjykatës më të lartë të vendit dhe mbi çështjen e Dekretit të Presidentes.

_____________________________________________________

[1] Shih Kërkesën e Avokatit të Popullit, pjesa II, me titullin “Vazhdimi i mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë pa propozimin e Kuvendit, nuk justifikohet nga përmbajtja e marrëveshjes nderkombëtare e vitit 2014 midis Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian” f. 10-22