
AVOKATI I POPULLIT TAKOI KRYETARIN E KOMUNËS SË FERIZAJIT
31 korrik, 2014 – Në vazhdim të takimeve që Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi ka realizuar me kryetarët e rinj të komunave, të dalë nga zgjedhjet e fundit lokale në vend, ai sot ka vizituar z. Muharrem Svarqa, kryetar i Komunës së Ferizajit.
Në takim u bisedua lidhur me mandatin dhe ankesat që drejtohen në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP), me theks të veçantë ato ankesa që drejtohen kundër autoriteteve komunale të Ferizajit. Me këtë rast, Avokati i Popullit, e informoi z. Svarqa lidhur me fluksin e ankesave që IAP ka pasur viteve të fundit ndaj institucioneve komunale, si dhe me natyrën e këtyre ankesave.
Avokati i Popullit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mirë dhe të hapur midis IAP dhe komunës, nga i cili përfitues kryesor do të ishin qytetarët.
Nga ana tjetër, Kryetari i komunës së Ferizajit shprehu falenderimin për iniciativën për takim duke u zotuar që do të punojë shumë që të ketë një administratë efektive që do të jetë vazhdimisht në shërbim të qytetarit. Gjithashtu deklaroi gatishmërinë për bashkëpunim lidhur me trajtimin e rasteve që drejtohen tek Avokati i Popullit.