Featured Image

SHENOHET DITA BOTËRORE E REFUGJATËVE

20/06/2014

Prishtinë, 20 qershor 2014
Sot në mbarë botën shenohet Dita Botërore e  Refugjatëve, e cila u themelua  nga Kombet e Bashkuara për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave dhe fëmijëve të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konfliktit dhe dhunës.

Më këtë rast, Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi ka vizituar sot Qendrën e Azilkërkuesve në Kosovë, e cila funskionon në kuadër të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ai u takua me udhëheqësin e kësaj Qendre, Fitim Zariqi, nga i cili u njoftua për kushtet dhe rregullat e qëndrimit të azilkërkuesve.

Zariqi e njoftoi Avokatin Kurteshi se aktualisht  janë 9 azilkërkues, ndërkaq deri më tani nëpër këtë Qendër kanë kaluar qindra azilkërkues, nga shtete e kontinente të ndryshme, të cilëve u ofrohet strehim i nevojshëm bazuar në Ligjet në fuqi.

Avokati i Popullit u takua gjithashtu edhe me azilkëkuesit dhe u interesua për gjendjen dhe trajtimin e tyre në Kosovë. Ata u shprehën të kënaqur dhe falënderues për kushtet  që ju ofrohen.  

Ndërtesa e dedikuar për strehimin e azilkërkuesve përmbush plotësisht parametrat e kërkuar të nivelit evropian, për të ofruar strehimin e nevojshëm për azilkërkuesit gjatë kohës kur rasti i tyre trajtohet nga autoritetet kompetente shtetërore të Kosovës.