Informatë lidhur me shpërthimin e sotëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK)
Prishtinë, 6 qershor, 2014 – Pas lajmit se në Repartin e Elektrolizës, në Termocentralin A, në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka pasur një shpërthim me pasoja në njerëz, Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi ka shkuar në vendin e ngjarjes.
I shqetësuar për situatën dhe rrezikun e mundshëm, Avokati i Popullit ka kontaktuar ekipet mjekësore që kanë trajtuar të lënduarit, ekipet që kanë ofruar sigurinë në perimetrin e identifikuar si zonë e rrezikshme ( Policinë e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës, Zjarrëfikësit) si dhe me stafin udhëheqës dhe me punonjës të KEK-ut.
Gjendja kaotike që ka mbretëruar përreth hapësirës ku shtrihet Termoelektrana e Kosovës dhe mungesa e informacioneve të plota mbi ngjarjen nga organet kompetente të KEK-ut apo strukturat tjera shtetërore të sigurisë, kanë vështirësuar jashtëzakonisht marrjen e informacionit të saktë dhe të plotë. Ishte evident konfuziteti në menaxhimin e situatës së krizës dhe mungesa e komunikimit, qoftë me punonjësit e KEK-ut, familjarët e shqetësuar, mediet dhe në përgjithësi me publikun.
Nga bisedat dhe kontaktet në vendin e ngjarjes me persona që njohin rrethanat dhe kanë qenë afër vendit të fatkeqësisë në momentin e shpërthimit, Avokati i Popullit konstaton se gjendja e infrastrukturës së Termoelektranave nuk e ofron sigurinë e nevojshme për jetën e punonjësve të KEK-ut, si dhe mungojnë masat e mjaftueshme për mbrojtjen në punë. Gjithashtu, rasti që ka ndodhur, ka nxjerrë në pah mungesën e udhëzimeve për menaxhimin e situatave dhe komunikimin në raste krizash.
Avokati i Popullit shpreh keqardhjen e thellë për viktimat e kësaj fatkeqësie, ndërkaq të lënduarve, të cilët gjithashtu janë vizituar nga përfaqësuesit e IAP-së në Qendrën Klinike Universitare, ju uron shërim të shpejtë.
Avokati i Popullit kërkon nga të gjitha organet kompetente hetimin e plotë të këtij rasti dhe ndërmarrjen e të gjitha masave për parandalimin e fatkeqësive të tilla në të ardhmen.