
AVOKAT I POPULLIT MBAJTI DIKSUTIMIN GJITHËPËRFSHIRËS LIDHUR ME DOMOSDOSHMËRINË E NJË PROCESI TË RREGULLT ZGJEDHOR
Prishtinë, 16 maj 2014 – Avokati i Popullit ka ftuar në një diskutim të përbashkët palët e përfshira në procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, me qëllim të rikthimit të vëmendjes në pikat e ndjeshme nëpër të cilat mund të kalojë ky proces, si dhe në obligimet ligjore të palëve të përfshira në realizmin e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme më 8 qershor të këtij viti.
Sfondi i proceseve zgjedhore në Kosovë, në të gjitha fazat, ka një varg vërejtjesh serioze për mangësitë dhe shkeljet, si dhe për cenimin e të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të garantuara me Kushtetutë dhe me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të zbatueshme në Kosovë. Fakti se Kosova po hyn në zgjedhjet e radhës pa e përfunduar procesin e reformimit të sistemit zgjedhor, procesi i zgjedhjeve bëhet edhe më kompleks e më sfidues. Në rrethana të tilla, Avokati i Popullit e ka konsideruar të domosdoshëm një diskutim gjithpërfshirës me palët kompetente për organizmin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Përfaqësues të Komisionit Qendror Zgjedhor, organeve të Prokurorisë dhe të Gjyqësorit, Policisë së Kosovës, të subjekteve politike dhe të shoqërisë civile me prezencën edhe të përfaqësuesve të OSBE-së, UNMIK-ut, OHCHR-së dhe mediave vendore, kanë shfaqur përspektivat e tyre mbi domsodoshmërinë e një procesi të rregullt zgjedhor dhe respektimit të shprehjes së lirë të vullnetit politik – votës së qytetarit.
Avokati i Popullit ka theksuar shprehimisht kërkesën për zgjedhje të lira dhe demokratike, për mundësi të barabarta për grupet e cenuara , siç janë personat me aftësi të kufizuara, personat që nuk kanë mundësi lëvizje të lirë – spitali , burgu etj . Po ashtu është kërkuar përmbajtje nga gjuha e urrejtjes dhe denigrimit grupor e individual mbi çfarëdo baze.
Marrë parasysh se palët e përfshira në procesin zgjedhor në tërësi kanë kompetenca dhe përgjegjësi të ndara ligjore, rekomandimet u specifikuan veç e veç për palët e përfshira në procesin zgjedhor në tërësinë e tij.