Featured Image

RAPORTI VJETOR 2013 I AVOKATIT TË POPULLIT U DISKUTUA NË KOMISIONIN PARLAMENTAR PËR TË DREJTAT E NJERIUT

30/04/2014

Prishtinë, 30 prill 2014 – Kuvendi i Republikës së Kosovës, respektivisht  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në takimin e sotëm ka trajtuar Raportin vjetor  2013 të Avokatit të Popullit.

I ftuar në këtë takim, Avokati i Popullit paraqiti para deputetëve ,anëtarë të këtij Komisioni, një rezyme të shkurtër mbi përmbajtjen dhe strukturën formalo –teknike të Raportit vjetor 2013, duke theksuar se Raporti vjetor 2013 përfshin informata, njohuri lidhur me mbi 2000 raste të trajtuara gjatë këtij viti në IAP. Mes të tjerash, z. Kurteshi ka sqaruar se Raporti në tërësi i mbështet konstatimet  dhe rekomandimet e bëra me sqarime dhe dokumentim në fusnotat përkatëse.

Kryetarja e këtij Komisioni, znj. Suzana Novobërdaliu, ka përgëzuar Avokatin e Popullit, z. Sami Kurteshi  për Raportin e dorëzuar, duke konstatuar se është “gjithëpërfshirës, i detajuar dhe me rekomandime të qëndrueshme dhe me vend”.  Ajo , ashtu si edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, prezent në takim, e kanë vlerësuar si një nga Raportet më të mira që i janë dorëzuar ndonjëherë Kuvendit të Kosovës nga institucionet dhe agjencitë raportuese.

Raporti vjetor i është dorëzuar, me 31 mars të këtij viti, Kuvendit të Kosovës nga ana e IAP-së dhe  pritet të diskutohet po ashtu, në njerën nga seancat plenare të radhës, ashtu siç e parasheh Ligji për Avokatin e Popullit.