U MBAJT TRYEZA ” AVOKATI I POPULLIT DHE TË DREJTAT E KONSUMATORIT”
Nën organizimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, në Prishtinë, u mbajt Tryeza e rrumbullakët me temën “Avokati i Popullit dhe të drejtat e konsumatorit”. Përfaqësues të institucioneve dhe autoriteteve publike, si dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile ishin të ftuar që të diskutojnë mbi të drejtat e konsumatorit, si dhe kushtet e krijimit të një ambienti sa më të sigurt në këtë aspekt.
Të drejtat e konsumatorit në Kosovë mbrohen me ligj të veçantë i cili rregullon marrëdhëniet mes konsumatorëve dhe ofruesve të shërbimeve, prodhuesve,furnizuesve e shitësve. Në ligj po ashtu garantohen të drejtat themelore të konsumatorëve, përfshirë këtu: të drejtën për të mbrojtur interesat ekonomike të konsumatorit, të drejtën e mbrojtjes nga rreziku për jetë, mbrojtjen e shëndetit e pronës, aspektin ligjor të mbrojtjes së konsumatorit, të drejtën për t’u ankuar, të drejtën e kompensimit etj.
Gjatë bashkëbisedimit në këtë Tryezë, u vunë në pah një varg çështjesh që kërkojnë vëmendjen dhe bashkëpunimin e institucioneve e faktorëve relevant. Megjithatë, ishte konkluzion i përbashkët se ngritja e vetëdijes mbi të drejtat e konsumatorëve dhe informimi mbi këto të drejta dhe mbrojtjen ligjore të garantuar në vend, janë veprime të domosodshme për të ecur përpara në këtë drejtim.