DEKLARATË E AVOKATIT TË POPULLIT LIDHUR ME VRASJEN E NXËNËSIT NË MITROVICË

28/01/2014

Vrasja e sotme e nxënësit në Mitrovicë, nga bashkëmoshatari dhe bashkënxënësi i po asaj shkolle, brenda hapësirës së shkollës, është ngjarje tragjike dhe e dhembshme, që duhet të shërbejë si alarm i jashtëzakonshëm për të gjitha institucionet kompetente arsimore dhe të sigurisë në vend, për ndërmarrjen e masave urgjente për parandalimin e çdo vepre që cenon dhe rrezikon jetën dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor në shkollat e Republikës së Kosovës.

Avokati i Popullit u bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente në Republikën e Kosovës, Ministrisë së Arsimit, drejtorive komunale të arsimit, menaxhmentit të shkollave, organeve të rendit e sigurisë, që të angazhohen seriozisht, duke konkretizuar veprimet dhe përgjegjësitë institucionale me emër e mbiemër, në parandalimin e rasteve të tilla, duke rritur intensitetin dhe seriozitetin e ndjekjes, hetimit të rasteve dhe nxjerrjen e kryerësve të veprave para drejtësisë.

Avokati i Popullit ripërsërit kërkesën, për të gjitha institucionet përgjegjëse dhe kompetente në Republikën e Kosovës, për ashpërsimin e masave kundër armëmbajtjes pa leje në tërë vendin, veprim të cilin institucionet shtetërore kompetente të Republikës së Kosovës duhet ta konsiderojnë si veprim urgjent dhe të domosdoshëm.