DEKLARATË E AVOKATIT TË POPULLIT LIDHUR ME VRASJET E KOHËVE TË FUNDIT NË KOSOVË

23/01/2014

Avokati i Popullit, shprehë shqetësimin e tij të thellë lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë, me theks të vecantë lidhur me vrasjet e ndodhura gjatë këtyre tre javëve të para të këtij viti, si dhe gjithashtu shpreh keqardhjen dhe dhembjen e tij për jetët e humbura.

Rasti i qytetares nga Peja, e cila humbi jetën pasi ishte plagosur javë më parë gjatë festimeve në ndërrimin e motmoteve, si dhe lëndimet e shumë qytetarëve, sidomos fëmijëve nga mjetet piroteknike, nxjerr në pah edhe njëherë papërgjegjësinë shoqërore dhe sidomos atë institucionale lidhur me mosrespektimin e ligjeve në fuqi dhe mosimplementimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit për mjetet piroteknike dhe ndalimin e përdorimit të armëve të zjarrëta gjatë manifestimeve të ndryshme.

Vrasja e fëmijës 14 vjeçar brenda oborrit të një shkolle fillore në Prishtinë si dhe vrasja e asambleistit nga pjesa veriore e Mitrovicës, janë ekzekutime arbitrare, të cilat kërkojnë përgjegjësinë institucionale për ndjekjen, kapjen dhe dënimin e dorasëve me ashpërsinë më të madhe që lejon ligji. Ekzekutimet arbitrare janë akte kriminale që dëshmojnë drejtpërdrejtë për dobësinë e institucioneve kompetente shtetërore në mbrojtjen e jetës së njeriut në territorin e vendit.

Po ashtu, e papranueshme dhe jo më pak e dënueshme, si për shoqërinë ashtu edhe për institucionet shtetërore, është edhe vrasja e të riut në Ferizaj, ditë më parë

Avokati i Popullit u bën thirrje organeve të rendit e sigurisë, të ndjekjes dhe të drejtësisë që të angazhohen seriozisht, duke konkretizuar veprimet dhe përgjegjësitë institucionale, në parandalimin e rasteve të tilla, duke rritur intensitetin dhe seriozitetin e ndjekjes, hetimit të rasteve dhe nxjerrjen e kryeseve të veprave  para drejtësisë.

Ashpërsimi i masave kundër armëmbajtjes pa leje në tërë vendin është veprim të cilin institucionet shtetërore kompetente të Republikës së Kosovës duhet ta konsiderojnë si veprim urgjent dhe të domosdoshëm.