DEKLARATË E AVOKATIT TË POPULLIT ME RASTIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT
Që atëherë, në vazhdimësi, veprimet a mosveprimet e shteteve në raport me të drejtat e njeriut monitorohen në mënyrë të vazhdueshme nga aleatë të natyrshëm shoqëror: institucionet e pavaruara kombëtare e aktivistë për të drejtat e njeriut, si dhe nga shoqëria civile.
Në vitin 2000, Organizata e Kombeve të Bashkuara miratoi Objektivat Zhvillimor të Mijëvjeçarit, për realizmin e të cilave ka deklaruar përkushtimin e saj edhe Kosova. Zbutja e varfërisë, realizimi i arsimimit fillor, barazia gjinore, fuqizimi i rolit të gruas e të tjera, kërkojnë rolin aktiv të shtetit dhe qasjen serioze për gjetjen e formave të përshtatshme për t’i arritur.
10 dhjetori rikujton universalitetin e barabarësisë në dinjitet dhe të drejta për të gjitha qeniet njerëzore. Kjo ditë gjithashtu tërheq vëmendjen për më shumë angazhim e përkushtim, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e secilit njeri. Në këtë ditë, s’kemi si të mos e kujtojmë luftëtarin e paepur për të drejta e njeriut, Nelson Mendelën, të cilit bota i jep sot lamtumirën e fundit.
Një ditë si kjo, kërkon reflektim mbi përgjegjësinë që kemi secili veç e veç e të gjithë bashkë, për ta ndërtuar sot një botë më të mire, se sa ishte dje. Kosovës i duhet nje reflektim i tillë, gjithashtu, për shkak të gjithë asaj nëpër të cilën ka kaluar e për hir të së ardhmes që synon.