DEKLARATË PUBLIKE E AVOKATIT TË POPULLIT LIDHUR ME SHKELJET GJATË FUSHATËS PËR ZGJEDHJET LOKALE 2013

25/10/2013

Prishtinë, 25 tetor 2013 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) është duke përcjellur me vëmendje të madhe fushatën e subjekteve politike për Zgjedhjet lokale 2013.
Nga informacionet që ka Avokati i Popullit, si dhe nga pamjet e emetuara nga media, subjektet politike dhe përkrahësit aktiv të tyre, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë shkelje të rregullave zgjedhore të përcaktuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ).
Edhe kësaj here, si edhe gjatë fushatave në zgjedhjet paraprake të nivelit qendror e lokal, subjektet politike kanë zhvilluar tubimet e aktivitetet e tyre në hapësira që nuk janë të dedikuara për këto qëllime, ashtu siç është përcaktuar shprehimisht në Rregullën zgjedhore 13/2013 mbi fushatën e zgjedhjeve dhe njoftimin për ngjarjet politike.
Shfrytëzimi i ambienteve shkollore për tubimet elektorale të subjekteve politike, duke penguar procesin mësimor, e për më tëpër duke shfrytëzuar fëmijët për aktivitetet promovuese elektorale, e bën jashtëzakonisht shqetësues këtë fakt. Manipulimi i fëmijëve, të cilët janë kryesisht mbi moshën 10 vjeç, për interesat e subjekteve politike, është alarmues dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të fëmijëve. Nga informatat në terren raportohet se profesorët dhe drejtorët e shkollave të mesme ushtrojnë ndikim në përfshirjen e nxënësve në fushatën zgjedhore.

Gjithashtu, IAP konsideron se ambienti polarizues pro dhe kundër zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, i pasuar me kërcënime, sulme fizike e verbale si dhe akte të tjera dhune, paraqesin gjithashtu shqetësim jashtëzakonisht të madh dhe tensionim të papranueshëm të situatës e kërcënim për zgjedhje të lira. Këto veprime dhe gjendja e përgjithshme atje cenojnë garantimin e votës së lirë dhe krijojnë pasiguri për votuesit dhe për personat e përfshirë për mbarëvajtjen e procesit.

Për Avokatin e Popullit janë të papranueshme dhe të dënueshme të gjitha aktet e dhunshme në cilëndo pjesë të Kosovës, ashtu siç është e papranueshme gjuha e përdorur, shpeshherë nxitëse e urrejtjes dhe fyese e denigruese.
IAP ju bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të tregojnë pjekuri politike, duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të zgjedhur, e duke respektuar të drejtën e tjetrit për të votuar.
Gjithashtu, IAP ju bën thirrje gjithë institucioneve përkatëse dhe të përfshira në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që në respektim të Kushtetuës dhe ligjeve në fuqi, të grantojnë dhe sigurojnë të drejtën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, që me datë 3 nëntor 2013, të ushtrojnë lirshëm e të sigurtë, të drejtën e tyre të votës.