REAGIM NË SHKRIMIN NË “EXPRESS”, TË GAZETARIT VISAR DURIQI ME TITULL “BEHRAMI: AVOKATI I POPULLIT U NDIKUA NGA KLANI I TËRNAVËS”

21/10/2013

Për hir të së vërtetës, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) është i detyruar të reagojë ndaj shkrimit me titull “Behrami: Avokati i Popullit u ndikua nga Klani i Tërnavës”, të gazetarit Visar Duriqi, të publikuar në “Express” me datë 21 tetor 2013 (http://gazetaexpress.com/?cid=1,15,124108)

Akuzat kundër Avokatit të Popullit lidhur me refuzimin e ankesës së z.Emin Behrami kundër Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), të përcjellura përmes gazetarit Visar Duriqi dhe Express-it, janë të pabaza, të pavërteta dhe paragjykuese.

Avokati i Popullit punën e tij e realizon me paanshmëri, profesionalizëm dhe konfidencialitet. Këto tre parime të punës shtrihen brenda misionit të IAP-së, të përcaktuar me Kushtetutë dhe me Ligjin për Avokatin e Popullit.

Mision i Avokatit të Popullit është mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të individëve, nga veprimet e paligjshme ose mosveprimet e autoriteteve publike në Republikën e Kosovës. Duke pasur parasysh faktin se BIK-u nuk është një autoritet publik, IAP nuk ka mandat të trajtojë ankesat drejtuar BIK-ut, përveç në rastet e diskriminimit.
Ankesa për të cilën flez z. Emin Behrami, nuk është e vetmja e paraqitur nga ana e tij në IAP. Të gjitha ankesat trajtohen veç e veç, prandaj ftesa që i është bërë për takim nuk ka pasur të bëjë me rastin në fjalë, për të cilin z. Behrami ka pranuar një vendim përfundimtar nga IAP.
Gjithashtu duam të sqarojmë për opinionin se konstatimi nga gazetari se “Avokati nuk i ka komentuar këto akuza” është i pavërtetë. Gazetari Duriqi nuk ka kontaktuar asnjë numër zyrtar të IAP-së dhe as Zyrën për Marrëdhënie me Publikun dhe Mediat të IAP-së për të marrë një përgjigje lidhur me akuzat e z. Behrami.
Dezinformimi dhe shtrembërimi i të vërtetës i përcjellur tek publiku përmes këtij shkrimi, duke vënë gjithë vëmendjen e ankesës së z. Behrami në titull linçues, e duke privuar të drejtën e IAP-së, për sqarim, si palë e cila sulmohet, tejkalon cakun e informimit medial dhe shpreh tendencën e denigrimit të misionit, punës dhe të pavarësisë institucionale të Avokatit të Popullit dhe paanshmërisë së vendimeve të tij.
Avokati i Popullit rikonfirmon se nuk pranon asnjë presion nga jashtë në veprimet e tij, pa marrë parasysh rrethanat dhe personat, qofshin ata fizikë apo juridikë.