INSTITUCIONI I AVOKATIT TË POPULLIT-Komunikatë lidhur me shembjen e dheut në Lagjen Arbëria dhe gjendjen e krijuar në shkollën “28 Nëntori” KUSH JANË PËRGJEGJËSIT?

03/10/2013

3 tetor 2013 – Avokati i Popullit i shqetësuar nga gjendja faktike dhe nga informacionet që kanë ofruar mediat me rastin e shembjes së dheut në lagjen Arbëria, shpreh shqetësimin lidhur me cenimin e të drejtës për jetë dhe mjedis të shëndetshëm, liri të lëvizjes dhe të drejtë të pronës në atë pjesë të Prishtinës.
Edhe para marrjes së njoftimit lidhur me këtë rast, bashkëpunëtorët e IAP-së në vazhdimësi kanë monitoruar gjendjen dhe kanë kërkuar nga Inspektoriati Komunal informata lidhur me ndërhyrjen pa kriter në mjedisin ku kanë filluar projektet ndërtimore, madje edhe në orët e vona të natës dhe gjatë fundjavës.
Lidhur me rrëshqitjet e dheut, të pasuara me dëmtim të pronës publike dhe private, Avokati i Popullit ka reaguar disa herë, mirëpo nga organet kompetente nuk janë ndërmarrë hapa konkret. Gjendja e krijuar, pos të tjerash është pasojë e një varg shkeljesh ligjore, gjatë ndërtimeve të bëra, jo vetëm në këtë lagje dhe jo vetëm në Prishtinë.
Gjithashtu, brengosëse është gjendja e krijuar në Shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori”, pas reshjeve të shiut gjatë këtyre ditëve. Fakti se rrjedhja e ujit nga çatia po ndodh në një shkollë të sapo ndërtuar, për të cilën gjë nuk e pranon askush përgjegjësinë, secilin prej nesh e vë para dilemave: A janë llogaridhënëse autoritet publike në Kosovë përballë qytetarëve? A mbajnë përgjegjësi për dështimet në shpenzimin dhe menaxhimin e parasë publike?
Shembja e dheut në lagjen Arbëria dhe lëshimi në funksion i objektit të shkollës “28 Nëntori” pa qenë funksional, nuk janë rastet e vetme në Kosovë. Përkundër cenimit të sigurisë publike dhe një vargu të drejtash të qytetarëve, nuk ndërmerren masa nga autoritetet kompetente për të sanuar gjendjen dhe gjithashtu nuk identifikohet e s’merren masa ndaj përgjegjësve.
Duke qenë se askush nuk merr dhe nuk pranon përgjegjësinë për dështimet e tilla, me pasoja të rënda për lirinë, sigurinë dhe pronën publike dhe private, Avokati i Popullit kërkon nga organet e drejtësisë , përkatësisht nga prokuroria, të ndërmarrin të gjitha veprimet e parapara me ligj, për të identifikuar dhe nxjerrë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.