NË FERIZAJ DHE NË GJAKOVË U HAPEN ZYRAT REGJIONALE TË IAP-SË
1 tetor 2013 – Institucioni i Avokatit të Popullit ( IAP) me rastin e hapjes së Zyrave Regjionale në Ferizaj dhe në Gjakovë dhe në kuadër të promovimit të vazhdueshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut ka mbajtur në këto dy qytete Tryeza të rrumbullakëta me temën: “Përmbushja e misionit të Avokatit të Popullit”.
Pas Reformave në strukturimin e sistemit gjyqësor në Kosovë dhe vlerësimit të nevojave për të qenë sa më afër qytetarit, Avokati i Popullit në fillim të këtij viti kishte marrë vendim që të shtoj numrin e zyrave regjionale të IAP-së edhe me dy zyra të reja , njëra prej tyre në Ferizaj dhe tjetra në Gjakovë. Me hapjen e zyrave të reja, numri i zyrave regjionale të IAP-së arrin ne tetë. Përmes këtyre zyrave, mundësohet gjithashtu funksionalitet dhe efikasitet më i madh në përmbushjen e misionit që ka ky institucion.
Tryezat e mbajtura në Ferizaj ( me datë 30 shtator) dhe në Gjakovë ( me datë 1 tetor) ofruan mundësinë e diskutimit të përbashkët të përfaqësuesve të IAP-së, autoriteteve komunale, gjyqësorit, policisë, organizatave joqeveritare dhe mediave, për sfidat ekzistuese në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe për rolin e IAP-së në këtë aspekt. Po ashtu takimet shërbyen edhe për të ofruar informacion lidhur me strukturën organizative të IAP-së, obligimet kushtetuese dhe ligjore, por edhe kufizimet gjithashtu.
Zyra Regjionale në Ferizaj ndodhet në ndërtesën e Kuvendit Komunal ( kati përdhesë) ndërkaq Zyra Regjionale në Gjakovë gjendet në adresën Rruga e UÇK-së, pa numër (përballë KRU “Radoniqi”). Ashtu si edhe Zyrat Regjionale në Mitrovicë (dy zyra), në Prizren, në Pejë, në Gjilan dhe në Gracanicë, edhe zyra në Ferizaj dhe në Gjakovë do të jenë të hapura për të pritur palë dhe për të trajtuar rastet nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 – 16:00.