NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË PERSONAVE TË MOSHUAR, AVOKATI I POPULLIT VIZITOI SHTËPINË E PLEQVE

01/10/2013

1 tetor 2013 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, Avokati i Popullit z. Sami Kurteshi ka vizituar Shtëpinë për Persona të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë në Prishtinë. Gjatë kësaj vizite, Avokati i Popullit ka takuar personat që jetojnë në këtë qendër, shumica e të cilëve janë në moshë të shtyrë.
Në mungesë të institucioneve tjera përkatëse apo në pamundësi për të gjetur zgjidhje të tjera, në këtë shtëpi kanë gjetur strehë edhe persona nën moshën 65 vjeç, si dhe persona me aftësi të kufizuara të natyrave të ndryshme.
Shtëpia e pleqve siç njihet gjithandej, ofron kujdesin elementar për afro 100 persona që ndodhen aty, përfshirë banimin, ushqimin dhe kujdesin primar shëndetësor. Kompetencat ligjore e kufizojnë Institucionin e Avokatit të Popullit në veprime ekzekutive, por gjendja aktuale nuk guxon të mbetet në kuadër të deklarimeve dhe vizitave pa sjellur rezultate konkrete në përmirësimin e gjendjes dhe ngritjen e kualitetit të jetës e kushteve për të moshuarit aty, ka thënë në përmbyllje të vizitës së tij Avokati i Popullit z. Sami Kurteshi.
Një tetori, është shpallur si Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Shënimi i kësaj dite ka për synim rritjen e vetëdijes për shqetësimet dhe gjendjen në të cilën ndodhen të moshuarit, por gjithashtu edhe si shenjë vlerësimi për kontributin që personat tashmë në moshë kanë bërë për shoqërinë