GRUP FËMIJËSH NGA SHQIPËRIA U PRITËN NGA AVOKATI I POPULLIT

30/09/2013

30 shtator 2013 – Avokati i Popullit z. Sami Kurteshi ka pritur një grup fëmijësh nga Shqipëria, të organizuar në kuadër të Programit për Qeverisjen me të drejtat e fëmijëve. Qëllimi i projektit si tërësi është fuqizimi i fëmijëve në monitorimin dhe avokimin e të drejtave të tyre dhe mbështetet nga Zyra e Save the Children në Shqipëri.
Gjatë takimit, fëmijët nga Shqipëria prezantuan mënyrën e organizimit dhe punën në kuadër të projektit në të cilin bëjnë pjesë, e po ashtu e informuan z. Kurteshi për të gjeturat dhe hapat që kanë bërë në identifikimin shkeljeve dhe në promovimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Interesimi i fëmijëve nga Shqipëria gjatë takimit u fokusua në pjesëmarrjen dhe të drejtat e fëmijëve në Kosovë, grupet aktive të fëmijëve këtu, mënyra se si referohen rastet në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP), si rezultojnë këto raste dhe cilat janë zgjidhjet që janë bërë etj. Mbi çështjet për të cilat u interesuan, ata morën informacionin përkatës nga Avokati i Popullit, i cili në këtë takim shoqërohej nga këshilltarja e lartë ligjore znj Igballe Rrahmani.