U MBAJT TRYEZA “MEKANIZMI KOMBËTAR PËR PARANDALIMIN E TORTURËS – SFIDAT, MUNDËSITË DHE HAPAT E BËRA PËRPARA”
1 korrik 2013 – Në vazhdën e aktiviteteteve që kanë shënuar 26 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare në Përkrahje të Viktimave të Torturës, si dhe në përmbushje të kompetencave ligjore e kushtetuese për të inspektuar dhe pasur qasje të plotë në institucionet ku mbahen personat e ndaluar, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka organizuar, sot, në Prishtinë, Tryezën “Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës – sfidat, mundësitë dhe hapat e bëra përpara”.
Në fokus të kësaj Tryeze ishin Raportet e Grupit Punues të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës1 nga monitorimi i Qendrës Korrektuese në Dubravë, si dhe Qendrës Korrektuese dhe Qendrës së Paraburgimit në Lipjan, si dhe aktivitetet e përmbushura në periudhën janar-qershor 2013.
Gjithashtu, panelistët në këtë Tryezë prezantuan të gjeturat e identifikuara dhe rekomandimet nga monitorimet e bëra në Qendrat e Paraburgimit, Qendrat Korrektuese dhe në Qendrat e Shëndetit Mendor, si dhe theksuan sfidat kryesore të Shërbimit Korrektues të Kosovës, përmirësimet dhe arritjet e shënuara në këtë drejtim.
Monitorimi i Qendrave në Dubravë dhe Lipjan ka përfshirë çështjet e infrastrukturës, higjienës, shëndetit, trajtimit, raporteve ndërmjet të dënuarve dhe në raport me stafin e Qendrave, ushqimin, informimin dhe aktivitetet e jashtme.
Mbipopullimi i këtyre Qendrave, gjendja fizike e objekteve, higjiena e dhomave dhe e rrobave, përfshirë shtrojën dhe mbulojën për fjetje si dhe shërbimet e ofruara shëndetësore brenda këtyre Qendrave janë segmentet kryesore ku drejtohen rekomandimet nga monitorimet e bëra. Ndërkaq u theksua në mënyrë të veçantë fakti se edhe nga monitorimet e bëra në Dubravë dhe Lipjan, por edhe nga monitorimet e vazhdueshme që bën IAP nëpër Qendrat e ndalimit dhe mbajtjes, nuk ka raste të Torturës dhe apo të trajtimit çnjerëzor dhe jo të dinjitetshëm nga stafi përgjegjës i këtyre Qendrave, gjë që u vlerësua nga të pranishmit në këtë Tryezë.