KOMUNIKATË LIDHUR ME SHEMBJEN E DHEUT NE LAGJEN ARBËRIA DHE NË LAGJEN E MUHAXHIRËVE

14/06/2013

14 qershor 2013 – Avokati i Popullit shpreh shqetësimin me gjendjen e krijuar pas shembjeve të njëpasnjëshme të dheut në komunën e Prishtinës, në lagjen Arbëria, me 10 qershor dhe me 11 qershor në lagjen e Muhaxhirëve.
Bashkëpunëtorët e Avokatit të Popullit pas marrjes së njoftimit për rrezikun që u kanoset në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarëve që jetojnë në ato pjesë, menjëherë kanë shkuar edhe në lagjen Arbëria, edhe në lagjen e Muhaxhirëve. Në vendngjarje është vërejtur dëmtim i rrugës publike, qarje dhe rrëshqitje e një pjese të rrugës, si dhe afrim i tepruar i objektit pranë rrugës, trotuarit dhe objekteve të banuara përreth. Për më tepër, është parë nga afër dëmtimi i gypit të ujësjellësit nga veprimet dhe ndërhyrja e pakontrolluar e operatorit, duke lenë për 48 orë qytetaret pa ujë.
Shembja e dheut në të dy lagjet ka cenuar rëndë sigurinë publike dhe të drejtat e qytetarëve për mjedis te pastër dhe të sigurt, të drejtën e privatësisë dhe të familjes, lirinë e lëvizjes, si dhe të drejtën e pronës.
Institucioni i Avokatit të Popullit(IAP) fton organet kompetente, komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që të respektojnë Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe të Ndërtimit, në mënyrë që të vendoset baraspeshimi në mes zhvillimit urban të qytetit dhe gëzimit efektiv të të drejtave të qytetarëve, duke respektuar të drejtën për mjedis, të drejtën e pronës dhe lirinë e lëvizjes. IAP gjithashtu i bën thirrje organeve kompetente për mbrojtjen e rendit dhe të ligjit, që të ndërmarrin masat e duhura kundrejt shkaktarëve të gjendjes së krijuar.