Aktivitete nga Institucioni i Avokatit të Popullit me rastin e Ditës së Fëmijëve
1 qershor 2013 – Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor të çdo viti, në mënyra të ndryshme, nga shumë vende të botës. Me rastin e shënimit të kësaj dite, Institucioni i Avokatit të Popullit ka realizuar një varg aktivitetesh, me qëllim tërheqjen e vëmendjes për të drejtat që kanë fëmijët.
Fillimisht, Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar Fshatin e Fëmijëve SOS Kinderdorf, me ç’rast ai u është bashkangjitur fëmijëve dhe stafit në programin e përgatitur nga kjo Qendër, enkas për Ditën e Fëmijëve.
Ndërkaq, nga ora 11:00 -14:00 në dy tenda të vendosura në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP-së) kanë takuar fëmijët, të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjohen nga përfaqësuesit e IAP-së dhe të kërkojnë informacion lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe ndihmën që IAP mund t’u ofrojë në këtë drejtim.
Një tendë që kishte po të njëjtin funskion dhe qëllim, IAP e kishte vendosur në fshatin Llapnasellë, nga ora 11:00 – 13:00, ku fëmijët gjithashtu kanë pasur munësi të takohen me përfaqësuesit e IAP-së. Gjatë kohës sa po zhvilloheshin takimet me fëmijët, z. Kurteshi ka vizituar tendat ku po mbaheshin këto takime, edhe në Prishtinë, edhe në Llapnasellë.
Më pas Avokati i Popullit, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij ka vizituar Qendrën Korrektuese dhe të Paraburgimit në Lipjan. Ai ka takuar të miturit që mbahen në këtë Qendër dhe është interesuar për kushtet që ata i kanë aty, si dhe pë planet e tyre pasi të kenë përfunduar periudhën e përcaktuar në këtë Qendër.
1 Qershori është shpallur ditë ndërkombëtare e fëmijëve në Konferencën Botërore për mirëqenien e fëmijëve më 1925, në Gjenevë të Zvicrës. Atë ditë, 54 shtete pjesëmarrëse miratuan Deklaratën e Gjenevës për Mbrojtjen e Fëmijëve. Zakonisht në këtë ditë ndërmerren aktivitete të ndryshme për të gëzuar fëmijët si dhe për të promovuar mirëqenien dhe të drejtat e tyre.