Monitorimi i Qendrës Korrektuese të Dubravës

26/04/2013

26 prill 2013 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor ka për obligim mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme të autoriteteve publike. Po ashtu, IAP në kuadër të punës së vet dhe me qëllim të evitimit të rasteve të torturës dhe trajtimit çnjerëzor, si dhe krijimit të qasjes dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me personat e privuar nga liria, bën vizita të rregullta në të gjitha burgjet dhe në vendet ku personat janë të privuar nga liria.
Në anën tjetër, është Protokolli Shtesë i Konventës Ndërkombëtare për Parandalimin e Torturës (OPCAT), që parasheh krijimin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), përmes së cilit synohet realizimi i vizitave të rregullta në të gjitha ambientet e institucioneve publike ku liria e individit është e kufizuar. Me këtë nënkuptohet se institucione të tilla si burgjet, qendrat e paraburgimit, stacionet e policisë, spitalet psikiatrike etj, do të jenë objekt i përhershëm inspektimi, me qëllim të respektimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të standardeve të trajtimit të individëve në këto ambiente.

Në drejtim të trasimit të rrugës për krijimin e MKPT-së, në maj të vitit 2011, IAP ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT) dhe Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), e cila ka paraparë krijimin e Këshillit Drejtues të përbashkët monitorues. Ky Këshill Drejtues monitoron në mënyrë të pavarur vendet ku mbahen personat e ndaluar. Një vizitë e tillë është realizuar me 26 prill 2013, në Burgun e Dubravës. Me këtë rast janë inspektuar vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, si dhe kushtet higjienike, ushqimin etj. Të gjeturat nga ky monitorim janë përmbledhur dhe mbi bazën e tyre hartohen rekomandimet për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe institucionet relevante.